28/02/2015
Rrjeti rajonal i organizatave të shoqërisë civile-POINTPULSE i katër vendeve të Ballkanit Perëndimor – Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) nga Kosova, Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP) nga Serbia, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulmtuese (BIRN) nga Serbia, Qendra për Studime të Sigurisë (CSS) nga Bosnja dhe Hercegovina si edhe Instituti Alternativa (IA) nga Mali i Zi – kanë mbajtur konferencën e parë në kuadër të projektit POINTPULSE në Qendrën Mediale në Beograd. Qëllimi i këitj projekti është kontributi për ngritjen e besueshmërisë dhe të besimit në agjencitë e zbatimi të ligjit përmes luftimit të korrupsionit dhe promovimin e integritetit në Policitë e vendeve përkatëse.
Dy hulumtuesit e QKSS-së, Skënder Perteshi dhe Plator Avdiu, kanë prezantuar të gjeturat në lidhje me sfidat dhe problemet që e përcjellin Policinë e Kosovës në fushën e integritetit dhe luftës kundër korruspionit. Prokurimi publik, lidhja e kontratve publike të Policisë me kompani private që kanë problem me ligjin, mosrespektimi i Ligjit për Prokurimin Publik, politizimi dhe ndërhyrjet politike në Polici, rryshfeti, sistemi i gradimit dhe nepotizmi në Policinë e Kosovës gjatë fazës së punësimit janë cilësuar si problemet më serioze në institucionin e Policisë. Këto sfida nuk e përcjellin vetëm Policinë e Kosovës, por edhe policitë e vendeve të tjera të rajonit, të cilat janë evidentuar në këtë konferencë nga pjesëmarrësit e organizatave të shoqërisë civile të Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, si edhe Malit të Zi.
Ndërkohë, si përfundim i përbashkët i këtij rrjeti rajonal të organizatave të shoqërisë civile ishte se Policia në të katër vendet e Ballkanit Perëndimor ka nevojë për reforma të thella për mënyrën se si shpenzon paranë publike dhe duhet të bëhet depolitizimi i Policisë që do të rriste më shumë integritetin në këtë institucion të rëndësishëm të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit.
Kjo konferencë ishte pjesë e projektit “Pulsi i Integritetit dhe Besueshmërisë në Polici në Ballkanin Perëndimor – POINTPULSE” që mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes programit të Faciliteteve të Shoqërisë Civile (EuropeAid/136-034/C/ACT/Multi).