6/11/2014
Sekretari dhe njëherësh Hulumtuesi i Lartë i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) z. Mentor Vrajolli ishte i pranishëm në Asamblenë e Përgjithshme të "Zyrës Ndërkombëtare Ndërlidhëse për Paqe-ndërtim (EPLO)" e cila u mbajtë në Bruksel në ambientet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG). Sikurse në mbledhjet e kaluara edhe kësaj radhe në Asamblenë e Përgjithshme të EPLO-s u diskutua në lidhje me realizimin e objektivave të planit strategjik të EPLO. Më konkretisht, zyrtarët ndërlidhës të EPLO-s raportuan për sukseset e arritura në realizimin e gjashtë politikë-objektivave në vijim, implementimi i të cilave është realizuar në grupe punuese ku janë të përfshira edhe organizatat anëtare të EPLO-s. Pra, në këtë takim zyrtarët e EPLO raportuan në detaje për realizimin e politikë-objektivave në vijim:
• Politikë-Objektiva 1: Të garantohet që parandalimi i konfliktit dhe paqe-ndërtimi gëzojnë prominencë brenda politikave dhe strukturave të punëve të jashtme të BE;
• Politikë-Objektiva 2: Të sigurohet që procesi i shtimit të resurseve për parandalim të konflikteve dhe paqe-ndërtim do të vazhdojë;
• Politikë-Objektiva 3: Të integrohen përpjekjet për paqe-ndërtim në politikat zhvillimore dhe programore të BE-së;
• Politikë-Objektiva 4: Të promovohet gjithë-përfshirja dhe përfaqësimi substancial i perspektivave gjinore në politika programore të BE-së që kanë të bëjnë me paqen dhe sigurinë;
• Politikë-Objektiva 5: Të promovohen politikat paqe-ndërtues gjatë intervenimit të BE-së në secilin konflikt specifik;
• Politikë-Objektiva 6: Të sigurohet prania e politikave konflikt-sensitive në politikat tregtare të BE-së si dhe të Bankës Evropiane për Investime;
Në përgjithësi përfaqësuesit e shteteve anëtare u ndanë të kënaqura me rezultatet e prezantuara. Po ashtu, u potencua roli në rritje i shoqërisë civile sa i përket influencimit të Politikave të Bashkimit Evropian në fushat e parandalimit të konflikteve, paqe-ndërtimit, promovimit të politikave gjithë-përfshirëse në fushën e sektorit të sigurisë, si dhe në shtimin e resurseve të ndara nga BE në këto fusha.
Gjatë këtij takimi të Asamblesë së Përgjithshme po ashtu u diskutua edhe për planin Strategjik të EPLO-s 2016-2018. Me këtë rast u mbajtën disa prezantime nga zyrtarë të BE-së dhe ekspert të organizatave anëtare të EPLO-s në lidhje ndryshimin dhe evoluimin e sfidave të BE sa i përket zgjidhjes së konflikteve dhe paqe-ndërtimit. Më konkretisht, përfaqësuesit e organizatave anëtare të EPLO-s u informuan për nevojat e shfaqura sa i përket adaptimit të Politikave të Jashtme të Sigurisë e të cilat vijnë si rezultat i : Krizës në Ukrainë, vështirësitë në menaxhimin e virusit të EBOLA-s, dalja në skenë e ISIS, si dhe rikthimi në skenë i Rusisë dhe Kinës si faktorë global. Pas diskutimeve të bëra në lidhje me këto tema, të pranishmit u morën vesh se gjatë Asambleve të Përgjithshme të radhës të diskutohet edhe modifikimi i Politikë-Objektivave të EPLO-s.
Si traditë tashmë në fund të Asamblesë së Përgjithshme të EPLO-s, përfaqësuesit e organizatave anëtare morën pjesë edhe në votimin e 2 përfaqësuesve të rinjë të Komisionit Mbikëqyrës të EPLO të zgjedhur me rotacion. Në këtë rast, me shumicë të votave përfaqësuesit vendosën që anëtarët e rinjë të jenë nga organizata Quaker Council for European Affairs dhe Swiss Peace.
Z. Vrajolli në këtë takim të Asamblesë së Përgjithshme EPLO ishte i pranishëm në cilësi të përfaqësuesit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë(QKSS), e cila që nga Nëntori 2011 është anëtare me të drejta të plota në EPLO. Përndryshe EPLO është rrjet i organizatave dhe institucioneve joqeveritare të cilat kanë për qëllim influencimin e politikave të sigurisë dhe paqe-ndërtimit të BE-së.