22/10/2015
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), të martën më 20 Tetor2015, ka organizuar konferencën me titull “Rrëfimi i dy qyteteve-ekstremizmi i dhunshëm dhe kundërpërgjigja në Komunën e Mitrovicës dhe Vushtrrisë”.
Qëllimi i kësaj konference e cila është pjesë e projektit i cili mbështetet nga Zyra e BE-së/ Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë (EUSR), është ngritja e vetëdijes tek qytetarët për parandalimin e ekstremizmit dhe kontributin në kundër narracionin ndaj propagandës së grupeve ekstremiste në Kosovë. Po ashtu, edhe përvojat nga diskutimet e organizuara me nxënësit e shkollave të mesme , përfaqësues të medias, shoqërisë civile, policisë dhe aktorë të tjerë për çështjen e ekstremizmit në Kosovë.
Të ftuar për të bërë hapjen dhe të jap kontributin e tij në këtë konference ishte Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Z.Skender Hyseni ku gjatë fjalimit të tij theksoj se përfshirja i shoqërisë, i të gjitha kategorive është parakusht për sukses në parandalimin e radikalizmit. Ne nuk mund të qëndrojmë indiferent karshi të dhënave me 300 luftëtarë kosovarë në Siri e Irak dhe karshi asaj që dhjetëra të tjerë kanë vdekur. Ministri Hyseni theksoj se ai së bashku me ekipin e tij janë duke punuar në një plan dinamik kundër radikalizmit dhe ekstremizmit fetar.
Ndërsa, Shefi i Zyres së BE-së/ Përfaqësuesit Special në Kosovë, Z. Samuel Zbogar tha se radikalizmi fetar është problem në tërë botë dhe jo vetëm në Kosovë. Por, Kosova ka treguar shembull të mirë në luftimin e ekstremizmit duke reaguar shpejtë në raste të individëve të caktuar. Gjithashtu shteti i Kosovës, ka mësuar nga praktikat e vendeve të rajonit dhe tanimë ka një përvojë në lidhje luftimin ekstremizmit fetare. Premtimet e atyre që tentojnë t’ua shpërlajnë njerëzve trurin që të shkojnë në luftëra për para dhe jetë më të mirë nuk janë të vërteta. Ne duhet të punojmë t’u tregojmë njerëzve që arsimimi është rruga e vetme për një jetë më të mire.
Florian Qehaja, Drejtor Ekzekutiv gjatë prezantimit të tij theksoj se ne si qendër nuk e lidhim ekstremizmin vetëm me fenë. Por në Ballkan ekstremizmi i dhunshëm lidhet me keqpërdorimin e fesë islame. Gjithsesi, sipas vlerësimeve tona nuk është kjo zona më e rrezikshmja ngase aktualisht zona më e rrezikshme mbetet Lindja e Mesme . Mendoj që është koha që të gjitha segmentet e shoqërisë t’i bashkërendojnë veprimet e tyre në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse që ta luftojmë bashkë ekstremizmin. Me anë të këtij projekti jemi duke krijuar kundër narrative se si t’i kundërvihemi këtij problemi.
Në këtë konferencë të ftuar special ishin edhe dy ekspertët nga Londra, Z. Ross Frenett nga Instituti Moonshot CVE dhe Znj. Emily Winterbotham nga Instituti i Shërbimeve të Mbretërisë së Bashkuar (RUSI) të cilët ndajtën eksperiencën e tyre me të pranishmit duke u bazuar në përvojat ndërkombëtare.
Qëllimi i konferencës ishte gjithashtu qe të shërbejë si një platformë për të mbledhur ekspert të pavarur nga Kosova, një numër të politikbërësve, përfaqësuesve të shoqërisë civile, mediave, organizatave ndërkombetare, institucioneve të sigurisë, dhe komuniteteve fetare në Kosovë, për të diskutuar lidhur me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin në Kosovë, me të cilin po përballet vendi, si dhe gjetjen e mënyrave dhe ideveve të reja për të adresuar këtë problem.