QKSS ORGANIZON PUNËTORINË E PARË MBI QEVERISJEN E MIRË NË SEKTORIN E SIGURISË

21/10/2015

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në datat 16 – 18 tetor 2015 ka organizuar punëtorinë e parë mbi Qeverisjen e Mirë në Sektorin e Sigurisë, në Durrës të Shqipërisë. Kjo punëtori është organizuar në kuadër të Modulit për Siguri dhe Sundim të Ligjit që është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të instituteve kosovare në kuadër të platformes së përbashkët – Shkolla për Integrime Evropiane.

Kjo punëtori kishte për qëllim familjarizimin dhe diskutimin me pjesëmarrësit mbi fushat më të rëndësishme që e karakterizojnë qeverisjen e sektorit të sigurisë, të tilla si: Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE); Kriteret e BE-së për sektorin e sigurisë në Kosovë; Sfidat, kërcënimet dhe rreziqet e sigurisë nacionale të Kosovës; Bashkëpunimin rajonal në sektorin e sigurisë; Integritetin e institucioneve të sigurisë në Kosovë si dhe Rolin e mediave dhe shoqërisë civile në mbikëqyrjen e sektorit të sigurisë.

Përveç njohurive dhe ekspertizes tonë, QKSS për këtë qëllim ndër tjerash ka ftuar një numer të ligjeruesve vendor dhe rajonal. Pjesëmarrës në këtë punëtori kanë qënë një numer i përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë ato të sigurisë, drejtësisë, shoqërisë civile, mediave si dhe përfaqësues të nivelit komunal.

Qëllimi i Modulit për Siguri dhe Sundim të Ligjit është ofrimi i një programi të veçantë të shkollimit jo-formal mbi çështjet e zhvillimit dhe reformimit të sektorit të sigurisë në Kosovë. Ky modul fokusohet në procese më specifike në kontekst të fushës së gjerë të sigurisë dhe sundimit të ligjit duke trajtuar në veçanti segmente me rëndësi të veçantë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE). Synimi jonë është që të kontribuojmë në ngritjen e nivelit të njohurive dhe vetëdijes së pjesëmarrësve të Shkollës për Integrime Evropiane në lidhje me zhvillimin dhe reformimin e sektorit të sigurisë në Kosovë, integritetin e institucioneve të sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë.

Ky modul mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Galeria nga punëtoria e parë