28/08/2015
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) me mbështetje nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, kanë filluar implementimin e projektit “Rrëfimi i dy qyteteve”, Radikalizmi dhe Kundërnarrativi në Vushtrri dhe Mitrovicë. Objektivi kryesor i QKSS-s përmes këtij projekti është që të kontribuojë në luftën kundër radikalizimit dhe ekstremizmit fetar, i cili mund të çojë në dhunë.
Në debatin e organizuar në Vushtrri morën pjesë nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Dibran Përquku, komandanti stacionit policor në Vushtrri Muhamet Alidema, përfaqësues nga Ekipit Ndërlidhës Monitorues (LMT) në kuadër të KFOR-it, si dhe mësimdhënës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë nga Vushtrria.
Debati u fokusua në bashkëpunimin e të gjithë segmenteve insitucionale, fetare dhe qytetarëve në të kuptuarit e radikalizmit si dhe mekanizmave për t’iu kundërvënë me kohë ekstremizmit që çon në dhunë.
Përfaqësuesit e Bashkësisë Islame theksuan se ekstremizmi dhe dhuna nuk kanë të bëjnë asgjë me Islamin e mirëfilltë dhe se në Kosovë duhet të vazhdojë të punohet në vetëdijësimin kundër ekstremizmit .
Ndërsa, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës vlerësuan se në bazë të analizave që u janë bërë rasteve që janë përfshirë në rekrutimin e kosovarëve për të marrë pjesë në konfliktin në Siri dhe Irak ato janë produkt i propagandës së rrjeteve të ndryshme ekstremiste.
Gjatë debatit u shtruan ide të ndryshme si kundërpergjigje ekstremizmit fetar si: futja e lëndes fetare në planprogramet shkollore, mbajtja e debateve të rregulta me të rinj nëpër shkolla me mësimdhënës dhe përfaqësues të shoqërisë civile etj.