ROLI I GRUAS NË PARANDALIMIN E EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM NË KOSOVË

10/09/2015

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, me 10 shtator 2015 në kuadër të projektit: “Rrëfimi i dy qyteteve, Radikalizmi dhe Kundërnarrativi në Vushtrri dhe Mitrovicë”, kanë organizuar debat në Vushtri me temën: “Roli i gruas në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”.

Gjatë debatit, ku të ftuar ishin përfaqësues të institucioneve në nivel lokal e qendror, institucioneve të sigurisë, Bashkësisë Islame, shoqërisë civile, KFOR-it dhe ambasadave, u diskutua rreth sfidave në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, e sidomos përfshirjen e grave në betejën kundër ekstremizmit. Përfshirja e grave e sidomos vetëdijësimi i tyre në identifikimin dhe raportimin e elementeve ekstremiste brenda familjeve tyre mbetet ndër faktorët qenësor në parandalimin e ekstremizmit.

Donika Emini, Hulumtuese në QKSS tha se gruaja mbetet një element i rëndësishëm në ndërmarrjen e përbashkët në edukimin e mirëfilltë, përfshi edhe atë religjioz që kontribuon në vetëdijesimin kundër ekstremizmit.

Afërdita Mikullovci zëvendësdrejtoreshë rajonale e  Policisë së Kosovë në Mitrovicë tha se roli  i grave e sidomos në identifikimin dhe raportimin e hershëm të elementëve ekstremistë brenda familjeve është ndër faktorët parësor në  betejën kundër ekstremizmit. Sipas  Drejtoratit të Antiterrorizmit në Policinë e Kosovës deri më tani ka të dhëna për së paku 20 gra u janë bashkuar burrave të tyre në Siri dhe Irak, duke marrë me vete edhe fëmijët.

Remzije Zekolli, zyrtare për çështje gjinore në Komunën e Vushtrrisë tha se nevojitet intensifikim i bashkëpunimit në mes të gjitha trupave institucional për të iu kundërvënë propagandës së rrjeteve ekstremiste dhe vetëdijesimin sidomos të nxënësve për rrezikun e ekstremizmit.

Shemsi  Rrahimi, kryetar i Bashkësisë  Islame në Vushtrri tha se gratë duhet të përpiqen t’ua shpjegojnë fëmijëve të tyre dhe familjarëve të tjerë se  ekstremizmi dhe ISIS nuk ka të bëjë asgjë me Islamin apo Xhihadin.

Debati është pjesë e projektit Rrëfimi i dy qyteteve: “Radikalizmi dhe Kundërnarrativi në Vushtrri dhe Mitrovicë”. Qëllimi i këtij projekti është rritja e aktivizmit dhe vetëdijesimit qytetar në parandalimin e përhapjes së ekstremizmit, si dhe kontributi në  kundërpërgjigjen ndaj përhapjes së propagandës së grupeve ekstremiste në Kosovë.