7/09/2016
Në kuadër të aktiviteteve hulumtuese, hulumtuesit e QKSS-së, Donika Emini dhe Plator Avdiu kanë marrë pjesë në konferencën rajonale me temë “Reformat në Polici në kontekst të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor”, në Podgoricë, më 7 shtator 2016. Kjo konferencë kishte për qëllim diskutimin dhe identifikimin e sfidave kryesore në policitë e vendeve të rajonit (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë) dhe nevojën për reformimin të sektorëve përkatës brenda institucionit të policisë.
Hulumtuesi i QKSS-së, Plator Avdiu, panelist në këtë konferencë, theksoi rëndësinë e reformave në menaxhimin e burimeve njerëzore në Policinë e Kosovës, sidomos për proces të drejtë dhe transparent të pensionimit të parakohshëm të zyrtarëve policorë si dhe për gradimin e zyrtarëve policorë. Gjithashtu, ai ka përmendur si sfidë mungesën e sigurimit shoqëror e jetësor për zyrtarët policorë, por edhe nevojën për forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm të Policisë për luftimin e korrupsionit policor. Kjo konferencë ishte organizuar në kuadër të projektit “Pulsi i Ballkanit Perëndimor për integritetin dhe besueshmërinë në Polici – POINTPULSE”, pjesë e të cilit është QKSS-ja. Gjithashtu, ekipi hulumtues i QKSS-së ka marr pjesë në punëtorinë e këtij projekti në Podgoricë (5-7 shtator) lidhur me vlerësimin dhe matjen e integritetit në policitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.