29/08/2016
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka përmbyllur të dielën me sukses punëtorinë e parë të modulit për Siguri dhe Sundim të Ligjit në kuadër të Shkollës për Integrime Evropiane që mbështet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).
Në këtë punëtori tre ditore panelistët dhe pjesëmarrësit kanë diskutuar dhe këmbyer informata dhe përvoja të fokusuara në: Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE); Qeverisjen dhe Reformën e Sektorit të Sigurisë dhe Drejtësisë dhe Llogaridhënien e Policisë; si dhe Policimin i Udhëhequr nga Inteligjenca, përfshirë rastin e Kosovës.
Moduli për Siguri dhe Sundim të Ligjit në kuadër të Shkollës për Integrime Evropiane është aktivitet vjetor i QKSS, në vazhdën e aktiviteteve për avancimin dhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës.
Pjesëmarrës të Punëtorisë mbi Policimin e Udhëhequr nga Inteligjenca ishin rreth 30 përfaqësues të institucioneve publike, përkatësisht atyre të sigurisë, drejtësisë, shoqërisë civile, partive politike dhe mediave. Folës në punëtorinë e parë ishin ekspertë ndërkombëtar të inteligjencës dhe reformës policore dhe integritetit, analistë të pavarur dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës si panelistë.
Punëtoria e dytë në kuadër të modulit mbi Sigurinë dhe Sundimin e Ligjit për këtë vit do të trajtojë Luftimin dhe Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm.