21/05/2026
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka mbajtur diskutimin e radhës në SHFMU “Dardania” në Prishtinë, në kuadër të projektit “Brezi i rrezikuar: Trajtimi i kriminalitetit tek të rinjtë dhe siguria në shkolla përmes hulumtimit dhe reformimit të bazuar në evidenca”.
Diskutimi u mbështet në gjetjet e pyetësorit të realizuar me nxënësit e shkollës, ku u evidentuan disa prej sfidave kryesore që lidhen me sigurinë dhe mirëqenien e të rinjve në mjediset shkollore.
Gjetjet tregojnë se nxënësit ndihen përgjithësisht të sigurt brenda klasës dhe korridoreve të shkollës, ndërsa pasiguria shfaqet më shumë në tualete dhe në hapësirat përreth shkollës. Konfliktet e nisura në rrjetet sociale, presioni nga bashkëmoshatarët dhe ngacmimet verbale u identifikuan si disa nga faktorët që ndikojnë në klimën e sigurisë në shkollë.
Po ashtu, gjetjet tregojnë nevojën për më shumë mbikëqyrje nga të rriturit, aktivitete ndërgjegjësuese, mbështetje psikologjike dhe masa parandaluese për nxënësit.
Këto aktivitete kontribuojnë në hartimin e rekomandimeve të bazuara në evidenca, me qëllim krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më gjithëpërfshirës për të rinjtë.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Brezi i rrezikuar: Trajtimi i kriminalitetit tek të rinjtë dhe siguria në shkolla përmes hulumtimit dhe reformimit të bazuar në evidenca”, zbatuar nga QKSS në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), me mbështetje nga Open Society Foundations – Western Balkans.