QKSS VAZHDON LIGJËRATAT PËR PARANDALIM TË EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM NË SHKOLLAT E PRIZRENIT

24/11/2016

QKSS VAZHDON LIGJËRATAT PËR PARANDALIM TË EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM NË SHKOLLAT E PRIZRENIT

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) të enjtën më 24 Nëntor 2016, ka organizuar dy debate me nxënës të shkollave të mesme në Prizren. Qëllimi i këtyre debateve ka qenë informimi dhe diskutimi mbi parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në Kosovë.

QKSS të enjtën ka biseduar me afro 90 nxënës të shkollave të mesme si Gjimnazi “Remzi Ademaj” si dhe shkollës së mesme te mjekesise “Luciano Motroni” në Prizren, rreth ekstremizmit të dhunshëm në përgjithësi si dhe format dhe rreziqet e ballafaqimit të qytetarëve me këtë fenomen. Përveç kësaj është diskutuar edhe për rolin e tolerancës, diversitetit dhe respektimit të drejtave të njeriut si dhe edukimit. QKSS ka pyetur nxënësit rreth pikëpamjeve të tyre për ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin, se si ata e shohin këtë fenomen dhe cili mendojnë se është roli i komunitetit ku jetojnë.

Këto aktivitete janë organizuar në kuadër të programit të QKSS për parandalimin e ektremizmit të dhunshëm më saktësisht projektit të mbështëtur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, projekt ky që ka për qëllim kryesor të përfshijë qytetarët e 11 komunave të Kosovës në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.