QKSS publikon raportin “A janë organizatat jo-qeveritare të përgatitura për t’u marrë me kërcënimet kibernetike? Analizë e përceptimeve të kapaciteteve të sigurisë kibernetike në mesin e OJQ-ve në RKS

13/09/2023

QKSS publikon raportin “A janë organizatat jo-qeveritare të përgatitura për t’u marrë me kërcënimet kibernetike? Analizë e përceptimeve të kapaciteteve të sigurisë kibernetike në mesin e OJQ-ve në RKS

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar “A janë organizatat jo-qeveritare të përgatitura për t’u marrë me kërcënimet kibernetike? Analizë e përceptimeve të kapaciteteve të sigurisë kibernetike në mesin e OJQ-ve në Kosovë”. 

Raporti ofron një analizë të përceptimeve të sektorit jo-qeveritar në Kosovë lidhur me kërcënimet që u kanosen në sferën digjitale dhe nevojës për të ndërtuar kapacitetet e tyre për t’u bërë ballë këtyrë kërcënimeve. 

OJQ-të po mbështeten gjithnjë e më shumë në teknologjinë dhe platformat digjitale për të kryer aktivitetet e tyre, përfshi komunikimin, avokimin, ngritjen e kapaciteteve dhe mobilizimin e fondeve. Derisa gjurma e tyre digjitale shkon duke u rritur, bashkë me të rritet edhe rreziku me të cilat këto të fundit janë të prirura të përballen. Sulmet kibernetike përbëjnë një rrezik real për sektorin jo-qeveritar, duke cenuar efektivitetin dhe sigurinë e OJQ-ve, dhe potencialisht madje edhe vetë-ekzistencën e tyre. 

Ka një boshllëk të madh të të dhënave lidhur me rreziqet kryesore kibernetike që i kanosen individëve, organizatave dhe institucioneve në Kosovë. Deri sot, nuk është publikuar asnjë raport apo analizë e cila ofron një pasqyrë të sfidave kryesore me të cilat përballen OJQ-të në vend dhe e cila identifikon nevojat specifike të sektorit për rritjen e kapaciteteve të tyre për t’u bërë ballë sulmeve kibernetike. 

Raporti i publikuar nga QKSS synon të plotësojë këtë boshllëk ekzistues duke kryer një vlerësim bazë të kapaciteteve të sigurisë kibernetike në mesin e OJQ-ve në Kosovë. Raporti bazohet në një anketë me 43 pyetje të kryer me 48 OJQ të cilat operojnë në komuna të ndryshme dhe kanë fushëveprime të ndryshme. Anketa u zhvillua në bashkëpunim me një ekspert të jashtëm të teknologjisë informative dhe bazohet në një sërë treguesish/indikatorësh universal të matjeve të sigurisë kibernetike për organizata. 

Gjetjet e raportit tregojnë se OJQ-të në Kosovë përballen me sfida të rëndësishme sa i përket kapaciteteve të tyre për të identifikuar dhe për t’iu përgjigjur kërcënimeve kibernetike. Analiza nxjerr në pah mungesën e burimeve njerëzore dhe financiare, ekspertizës dhe masave të duhura të sigurisë kibernetike brenda këtyre organizatave për t’i trajtuar në mënyrë efektive kërcënimet e mundshme digjitale në të ardhmen. Mungesa e procedurave dhe rregulloreve për të ndihmuar në drejtimin dhe udhëheqjen e menaxhimit dhe parandalimit të incidenteve kibernetike dhe mungesa e mekanizmave të reagimit ndaj incidenteve, së bashku me faktin se shumica e të anketuarve nuk kanë kryer asnjëherë ndonjë formë të vlerësimit të rrezikut në lidhje me kërcënimet digjitale, i lë OJQ-të në Kosovë plotësisht të ekspozuara ndaj një morie rreziqesh dhe dobësish që lidhen me sferën online. Së fundi, mungesa e ndërgjegjësimit të stafit, e cila rrëndohet nga mungesa e trajnimeve dhe fushatave ndërgjegjësuese, rrit rrezikun që këta individë të bëhen viktima të sulmeve të ndryshme kibernetike. Kjo jo vetëm që shkakton dëme në organizatë, por gjithashtu ndikon në mirëqenien emocionale dhe psikologjike të vetë pjesëtarëve të stafit. 

Disa nga rekomandimet që nxjerr raporti janë prioritizimi i sigurisë kibernetike nga OJQ-të përmes shfrytëzimit të burimeve të ndryshme online të cilat janë falas dhe të cilat mund të përdoren për të zhvilluar dhe përmirësuar masat organizative për siguri kibernetike. Tutje, komuniteti i donatorëve duhet të rrisë mbështetjen për sektorin jo-qeveritar për të trajtuar në mënyrë efektive cështjen e sigurisë kibernetike, mirëpo edhe OJQ-të duhet të jenë më të zëshme dhe proaktive në avokimin e sigurisë digjitale.

Raportin e plotë në gjuhën shqipe dhe angleze mund ta lexoni këtu. 

Ky raport u publikua në kuadër të projektit “Shfletimi i lirë në Internet”, i mbështetur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).