24/11/2023
Gjatë tryezës u shpalosën të gjeturat nga raportet e fundit të publikuara nga QKSS në kuadër të Programit Kërcënimet e Reja si dhe u zhvilluar një panel diskutimi me Hafize Bajramin, Shefen e Seksionit për Mbrojtje Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Dr. Blerton Abazi, Dekan i Departamentit të Sistemeve të Informacionit në Kolegjin UBT.
Donika Elshani, hulumtuese në QKSS, prezantoi raportin “Çfarë mund të mësojë Kosova nga qasja e shteteve Baltike lidhur me mbrojtjen e infrastrukturës kritike?”, kurse hulumtuesi Jon Limaj prezantoi raportin me temë “Si mund të mësojmë nga praktikat evropiane për të zhbllokuar procesin e identifikimit të infrastrukturës kritike në Kosovë?”
Gjatë diskutimit me panelistët e ftuar u fol lidhur me rolin e Ministrisë së Mbrojtjes në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sfidat dhe mundësitë e ndërtimit të partneriteteve publiko-private në këtë sektor dhe bashkëpunimin rajonal në mbrojtjen e infrastrukturës së përbashkët kritike.
Në tryezë morën pjese përfaqësues nga institucione të ndryshme, përfshi nga Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, Telekomi i Kosovës, si dhe përfaqësues nga Ambasada e Francës dhe ajo e Britanisë së Madhe në Kosovë.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit SMART Balkans, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.