1/06/2022
QKSS po vazhdon organizimin e takimeve me gra dhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe institucioneve komunale për të diskutuar rreth dhunës në familje dhe sfidat gjatë përballjes me këtë problem. Takimi i fundit u mbajt të martën, më 31 maj 2022, në Komunën e Kllokotit, në bashkëpunim me Zyrën për Komunitete dhe Kthim të kësaj komune.
Në takim ishin pjesëmarrës Kryetari i Komunës, përfaqësues nga Policia e Kosovës, përfaqësues të organizatës “Monsig” dhe gra të komunitetit serb dhe shqiptarë të kësaj Komune. Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës në Kllokot, numri i rasteve të raportuara dhunës në familje është i ulët në krahasim me komunat e tjera, por u potencua nevoja për ngritje të vetëdijes tek qytetarët për raportim të rasteve të dhunës.
Në Kllokot institucionet dhe qytetarët e konsideronin problem raportimin e rasteve të dhunës nga mediat që po vështirësojnë mbajtjen anonim të personave të përfshirë në dhunë në familje, që po dekurajon njerëzit e tjerë të lajmërojnë rastet e ngjashme në institucione të sigurisë. Ata shprehën nevojën e krijimit të Mekanizmit kundër Dhunës në Familje dhe përfshirjen e organizatave jo-qeveritare në vetëdijësim të qytetarëve.
Gjatë diskutimit është vërejtur nevojë e madhe e informimit të qytetarëve në lidhje me këtë fenomen negativ, si dhe ngritjes së kapaciteteve në institucionet relevante që merren me çështjen e dhunës në familje dhe dhunës ndaj gruas.
Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.