12/03/2026
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) zhvilloi sot një takim zyrtar me drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Ferizaj, z. Afrim Llabjani, dhe z. Bashkim Bytyci, gjatë të cilit u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit me Komunën e Ferizajt.
Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit institucional në kuadër të projektit “Brezi i rrezikuar: Trajtimi i kriminalitetit tek të rinjtë dhe sigurisë në shkolla përmes hulumtimit dhe reformimit të bazuar në evidenca”, i cili zbatohet nga QKSS në partneritet me Institute for Democracy and Mediation (IDM), Shqipëri.
Bashkëpunimi synon të lehtësojë realizimin e hulumtimit në terren, të forcojë koordinimin me institucionet lokale të arsimit dhe të mbështesë rekomandimet e bazuara në prova për parandalimin e dhunës tek të rinjtë dhe rritjen e sigurisë në shkolla.
Përmes kësaj marrëveshjeje, QKSS dhe institucionet lokale do të punojnë së bashku për adresimin e sfidave që lidhen me sigurinë e të rinjve dhe forcimin e mekanizmave parandalues në ambientet shkollore.
Projekti mbështetet nga Open Society Foundations Western Balkans.