QKSS Lansoi Raportin mbi Rritjen e Narrativave Anti-Gjinore në Kosovë

29/05/2026

QKSS Lansoi Raportin mbi Rritjen e Narrativave Anti-Gjinore në Kosovë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka lansuar raportin e ri “RRITJA E NARATIVAVE ANTI-GJINORE NË KOSOVË Ideologjitë e së Djathtës Ekstreme, Dhuna Digjitale dhe Kërcënimet ndaj të Drejtave të Grave”, në kuadër të një konference të mbajtur sot Prishtinë.

Raporti trajton rritjen e narrativave anti-gjinore në Kosovë dhe implikimet e tyre për zhvillimin demokratik, barazinë gjinore dhe kohezionin shoqëror. Hulumtimi analizon mënyrën se si diskursi kundër-gjinor është përhapur në hapësirat politike, mediale dhe digjitale, duke u ndërlidhur me ideologjitë e së djathtës ekstreme dhe format e dhunës digjitale që synojnë gratë, aktivistet dhe grupet e margjinalizuara.

Gjetjet kryesore të raportit u prezantuan nga Jeta Loshaj, hulumtuese në QKSS, e cila paraqiti trendet kryesore dhe zhvillimet në këtë fushë.

Pas prezantimit u zhvillua një diskutim i hapur me ekspertë dhe pjesëmarrës, i cili u fokusua në ndikimin e narrativave anti-gjinore në diskursin publik, rritjen e dhunës digjitale dhe nevojën për politika dhe mekanizma më të fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe forcimin e reziliencës demokratike në Kosovë.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Parandalimi dhe Rritja e Reziliencës ndaj ideologjive anti-gjinore dhe ekstremit të djathtë”, i cili mbështetet nga BIRN Kosova dhe financohet nga Bashkimi Evropian.