QKSS FILLON PROJEKTIN E DYTË NË PROGRAMIN “HORIZON 2020”

22/09/2016

Drejtori Ekzekutiv i QKSS-së, Dr. Florian Qehaja dhe hulumtuesi i QKSS-së, Plator Avdiu po marrin pjesë në seminarin për “Fuqizimin e mundësive dhe trajnimeve për kurrikulat në parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e paqes”, në Vjenë të Austrisë nga 21-23 shtator 2016.

Në këtë seminar po diskutohet rreth gjendjes aktuale sa i përket procesit të trajnimeve dhe kurrikulave në nivel evropian për ndërtimin e paqes. Ndërsa, ndërtimi i një platforme të re të përbashkët në nivel të BE-së sa i përket trajnimeve dhe kurrikulave për ndërtimin e paqes dhe parandalimin e konflikteve është prej qëllimeve kryesore të këtij projekti duke i përfshirë akterët shtetërorë dhe jo-shtetëror.

Në këtë takim po marrin pjesë përfaqësues të universiteteve, shoqërisë civile dhe institucioneve publike të vendeve të ndryshme evropiane, përfshirë Kosovën. QKSS-ja është një prej partnerëve të këtij rrjeti, ndërsa ky është takimi i parë i këtij projekti në kuadër të programit të mbështetur nga Komisioni Evropian “Horizon 2020” - PeaceTraining.eu.