12/12/2023
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) së fundi ka zhvilluar një trajnim gjithëpërfshirës dy-ditor për zyrtarët e Shërbimit Sprovues të Kosovës me qëllim rritjen e aftësive të zyrtarëve të këtij institucioni në trajtimin e çështjeve të lidhura me ekstremizmin e dhunshëm. Trajnimi, ku morën pjesë 22 zyrtarë të Shërbimit Sprovues, u strukturua në gjashtë sesione përgjatë dy ditëve.
Dita e parë e trajnimit u fokusia në mekanizmat e vlerësimit të rrezikut, duke ofruar shembuj mbi modele të ndryshme dhe praktikat më të mira për vlerësimin e rrezikut që lidhen me shkelësit e dhunshëm ekstremistë (VETO) dhe të kthyerit nga zonat e luftës. Sesioni u fokusua në aspektet dhe treguesit kryesorë për vlerësimin efektiv të rrezikut.
Më pas, pjesëmarrësit u thelluan në "Parimet e Monitorimit dhe Vlerësimit", duke u fokusuar në menaxhimin e rasteve të Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm. Ky sesion theksoi rëndësinë e përgjegjshmërisë menaxheriale në kuadër të Shërbimit Sprovues të Kosovës.
Dita e dytë filloi me një sesion mbi "Parimet dhe praktikat ndërkombëtare për trajtimin e rasteve të grave në periudhën pas konfliktit". Përmes këtij sesioni, u analizu legjislacioni vendor dhe kornizat ligjore ndërkombëtare, duke theksuar zbatimin e tyre në kontekstin e Kosovës. Ky sesion u pasua me një sesion kritik mbi "Komponentin gjinor në programet e rehabilitimit dhe riintegrimit", duke nënvizuar rëndësinë e aspekteve gjinore në zhvillimin e strategjive efektive të rehabilitimit.
Trajnimi përfundoi me një diskutim mbi komunikimin mes Shërbimit Sprovues dhe komunitet të gjerë, ,duke theksuar rëndësinë e komunikimit në ndërhyrjet e bazuara në komunitet.
Trajnerët ekspertë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) udhëhoqën trajnimin dy-ditor, duke kombinuar relevancën vendore me praktikat më të mira ndërkombëtare. Kjo nismë paraqet një hap të rëndësishëm në ndërtimin e mëtejmë të kapaciteteve të Shërbimit Sprovues të Kosovës për të trajtuar në mënyrë efektive sfidat e paraqitura nga ekstremizmi i dhunshëm.
Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit “Ngritja profesionale e Shërbimit Sprovues të Kosovës drejt përballjes me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm” mbështetur nga Mbretëria e Holandës dhe Ambasada Britanike në Prishtinë.