3/04/2015
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka qenë pjesëmarrëse e punëtorisë në kuadër të projektit POINTPULSE në Sofje për integritetin në polici dhe politikat e anti-korrupsionit në Policitë e katër vendeve të rajonit – Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Hulumtuesi i QKSS-së, Skender Përteshi, ka prezantuar hulumtimin për procesin e verifikimit të sigurisë në Kosovë, si një procedurë e rëndësishme në sektorin e sigurisë në vend. Duke e marrë parasysh që Agjencia e Kosovës për Inteligjencë është përgjegjëse për udhëheqjen e këtij procesi në të gjitha institucionet publike të Kosovës, Përteshi ka theksuar në veçanti verifikimin e zyrtarëve të Policisë së Kosovës që ka nisur në vitin 2013. Për më shumë, ai ka përmendur nevojën e reformimit sa më të shpejt të këtij procesi për të garantuar ligjshmërinë dhe objektivitetin gjatë zbatimit të procedurave të verifikimit të sigurisë dhe krijimin e një agjencie të pavarur nga Kuvendi i Kosovës për verifikimin e sigurisë me qëllim të pavarësimit të këtij sektori nga Qeveria e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Nga ana tjetër, gjatë kësaj punëtorie, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga Bullgaria kanë shkëmbyer pikëpamjet dhe përvojat e tyre sa i përket politikave të anti-korrupsionit dhe depolitizimit të Policisë së Bullgarisë prej ndërhyrjeve politike.
Projekti “Pulsi i Integritetit dhe Besueshmërisë në Polici në Ballkanin Perëndimor – POINTPULSE” është rrjet rajonal i organizatave të shoqërisë civile i katër vendeve të Ballkanit Perëndimor – Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) nga Kosova, Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP) nga Serbia, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulmtuese (BIRN) nga Serbia, Qendra për Studime të Sigurisë (CSS) nga Bosnja dhe Hercegovina si edhe Instituti Alternativa (IA) nga Mali i Zi. Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes programit të Faciliteteve të Shoqërisë Civile (EuropeAid/136-034/C/ACT/Multi).