25/10/2018
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë sot me datën 25 tetor 2018 ka publikuar raportin ‘Shpjegimi i Dallimit: Cenueshmëria dhe Qëndrueshmëria ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë’ të mbështetur nga Berghof Foundation dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
Ky raport është një studim cilësor që synon të kuptojë dhe kontekstualizojë dinamikat në nivel komuniteti në zonat që janë prekur ose nuk janë prekur nga ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë gjatë gjashtë viteve të fundit. Deri më sot, shumica e hulumtimeve mbi ekstremizmin e dhunshëm të kryera në Ballkanin Perëndimor bazohen në faktorët shtytës dhe tërheqës që kanë nxitur dhjetëra individë nga mbarë rajoni të bashkohen me organizatat terroriste në Lindjen e Mesme, kryesisht në Siri dhe Irak.
Në këtë studim, hulumtueset eksplorojnë dinamikat e brendshme të cilat mund të ketë nxitur ose parandaluar ekstremizmin e dhunshëm në një mjedis të caktuar. Ndryshimi i fushëveprimit nga faktorët individualë tek aktorët me bazë në komunitet dhe faktorët që përcaktojnë rrugëtimin drejt radikalizimit ka mundësi t’u jap politikëbërësve përgjigje urgjente në lidhje me intervenimet e synuara që do të adresonin dobësitë strukturore dhe do të mbështesnin pikat e forta të caktuara që mund t’i bëjnë komunitetet rezistente, ose të paktën mund t’i pajisin atë që të merren me kërcënimet e ardhshme për sigurinë e tyre.
Prandaj, qëllimi i këtij hulumtimi është që të identifikojë faktorët që i bëjnë këto komunitete të cenueshme ose të qëndrueshme, dhe të përpiqet të mat, përmes një spektri të gjerë aktorësh, ndikimin e këtyre faktorëve në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Pjesa e mbetur e këtij raporti do të trajtojë strukturën e hulumtimit dhe terminologjinë e përdorur në këtë hulumtim (Seksioni 2), informacione të përgjithshme për vendin (Seksioni 3), gjetjet kyçe mbi faktorët dhe akterët që ndikojnë në qëndrueshmërinë ose cenueshmërinë e komunitetit ndaj ekstremizmit të dhunshëm (Seksioni 4), një vlerësim i programeve të PEDH-së dhe lidhjeve të tyre të mundshme me iniciativat për ndërtimin e paqes (Seksioni 5), dhe në fund disa vërejtje dhe rekomandime përmbyllëse (Seksioni 6).
Ky studim mbi ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë është pjesë e iniciativës rajonale “Mundësitë për të Parandaluar Ekstremizmin e Dhunshëm në Ballkanin Perëndimor” që përfshinë Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Maqedoninë.