Publikim i raportit: Sfidat dhe praktikat e gjithëpërfshirjes në Sektorin e Sigurisë në Kosovë

20/03/2020

Publikim i raportit: Sfidat dhe praktikat e gjithëpërfshirjes në Sektorin e Sigurisë në Kosovë

Sot, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar raportin hulumtues “Sfidat dhe praktikat e gjithëpërfshirjes në sektorin e sigurisë në Kosovë”.

Ky raport ofron një përmbledhje të gjendjes aktuale të përfshirjes së komuniteteve jo-shumicë në Policinë e Kosovës (PK) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), me theks të veçantë të komunitetit serb. Përmes hulumtimit analizohet procesi i gjithëpërfshirjes në këto institucione dhe masat e marra për të siguruar qëndrueshmëri në këtë proces. Për më tepër, vëmendje e veçantë i kushtohet procesit të rekrutimit, praktikave në këtë aspekt dhe masat specifike që janë marrë për t'i afruar të gjitha komunitetet jo-shumicë me këto institucione. Mes të tjerash, ky hulumtim ofron një përmbledhje të funksionimit të mekanizmave ekzistues të brendshëm që mbikëqyrin dhe kontribuojnë në zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse. Gjithashtu, hulumtimi përqendrohet në integritetin e pjesëtarëve nga komunitetet jo-shumicë, veçanërisht në PK, dhe sfidat që paraqiten në sigurimin e integritetit.

Ky hulumtim pasqyron hulumtimet e gjera të QKSS-së në vitet e fundit në komunat me shumicë serbe, si dhe punën në terren të ekipit të QKSS-së në komunat ku banojnë komunitetet tjera jo-shumicë. Për qëllimet e hulumtimit, u organizuan dy diskutime publike në Graçanicë dhe Shtërpce dhe u zhvillua një seri intervistash me shoqërinë civile, institucionet lokale dhe përfaqësuesit e qeverisë. Për më tepër, të dhënat statistikore të raportit janë marrë zyrtarisht nga PK dhe FSK, ndërsa ekipi hulumtues ka bërë një analizë të hollësishme të përmbajtjes së dokumenteve zyrtare, raporteve dhe kornizës ligjore përkatëse. Përveç të tjerash, të dhënat e raportit mbështeten në programet ekzistuese të QKSS-së për integritetin dhe gjithëpërfshirjen në institucionet e sigurisë, konsultimet dhe takimet e vazhdueshme me ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve, si dhe përfshirjen e ekipit të QKSS-së në procese të ndryshme në sektorin e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Publikimi i këtij raporti, njëherish shënon mbylljen e projektit “Zhvillimi i gjithëpërfshirjes dhe qëndrueshmërisë në sektorin e sigurisë në Kosovë”. Ky projekt është zbatuar nga tetori i vitit 2019 dhe është përkrahur nga Fondi i Kanadasë për Iniciativa Lokale (CFLI).

Raporti është i disponueshëm në gjuhën Shqipe, Angleze dhe Serbe.