Publikimi i raportit: Barometri Kosovar i Sigurisë - Edicioni i dhjetë

24/11/2020

Publikimi i raportit: Barometri Kosovar i Sigurisë - Edicioni i dhjetë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot, më 24 nëntor 2020, edicionin e dhjetë të Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS).

Barometri Kosovar i Sigurisë është një mjet i QKSS-së përmes të cilit maten perceptimet publike në Kosovë në lidhje me besimin e qytetarëve në institucione dhe çështje të ndryshme që lidhen me sigurinë. Në edicionin e tij të dhjetë, BKS-ja ka marrë një shtrirje rajonale dhe është zhvilluar paralelisht në Kosovë dhe Serbi duke shënuar edicionin e parë të Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor (BSBP). Raportet e plota për të dy shtetet mund të qasen përmes webfaqes tonë www.qkss.org dhe partnerit tonë në Serbi www.bezbednost.org .

Edicioni i BKS, raporti për Kosovën, përbëhet nga tre kapituj. Kapitulli i parë paraqet përceptimet e qytetarëve lidhur me besueshmërinë në institucionet e sigurisë, drejtësisë, si dhe në institucione e nivelit qendror dhe lokal. Në anën tjetër, kapitulli i dytë interpreton perceptimet e qytetarëve lidhur me korrupsionin në këto institucione. Së fundmi, në kapitullin e tretë reflektojnë të gjeturat e raportit për kontaktin e drejtëpërdrejtë të qytetarëve me këto institucione në 12 muaj e fundit. Teksa në kapitujt e lartpërmendur ky raport ofron një pasqyrë të përgjithshme të perceptimeve të qytetarëve, ai gjithashtu paraqet zbërthimin e të dhënave sipas gjinisë, rajonit, zonës (urbane/rurale), moshës (18-35/36+) dhe përkatësisë etnike të të anketuarve. Për më tepër, raporti ofron analiza shtesë për arsyet pse ekzistojnë perceptime të tilla të qytetarëve në lidhje me çështjet e paraqitura në raport.

Gjetjet kyçe të edicionit të dhjetë të BKS-së janë si më poshtë:

- Të anketuarit e Barometrit Kosovar të Sigurisë vazhdojnë të kenë besim më të lartë në Institucionet e Sigurisë krahasuar me Institucionet Qendrore dhe të Drejtësisë;

- Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besuar, me 81 për qind të të anketuarve që kanë besim ose besim të plotë në të;

- Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës janë institucionet e sigurisë më pak të besuara;

- Në përgjithësi, institucionet e Sigurisë perceptohen si më pak të korruptuara nga qytetarët, krahasuar me institucionet e Drejtësisë dhe Qendrore;

- Institucionet e Drejtësisë, përkatësisht Gjykatat dhe Prokuroria, vazhdojnë të perceptohen si të korruptuara. Mbi 40 për qind e të anketuarve besojnë se këto institucione janë të korruptuara ose shumë të korruptuara;

- Qeveria e Kosovës konsiderohet institucioni më i korruptuar, me 72 për qind të të anketuarve që deklarojnë se Qeveria është e korruptuar ose shumë e korruptuar;

- Në përgjithësi, qytetarët kanë kontakt të drejtpërdrejt të ulët me institucionet në Kosovë;

- Komunat janë institucionet me të cilat qytetarët kanë pasur më së shumti kontakt të drejtpërdrejtë në 12 muajt e fundit;

- Qeveria është institucioni me të cilin qytetarët kanë pasur më së paku kontakt të drejtpërdrejtë në 12 muajt e fundit;

Publikimi i raportit mund të gjindet këtu: https://www.facebook.com/KCSSQKSS/videos/1327000434302122

Ky raport është publikuar në kuadër të projektit rajonal “Barometri i sigurisë në Ballkanin Perëndimor -  promovimi i llogaridhënies në Institucionet e Sigurisë dhe Drejtësisë” i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).

Pikëpamjet e shprehura në këtë raport janë perceptime të të anketuarve dhe nuk përfaqësojnë doemos mendimet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë ose Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë. Opinionet e shprehura në këtë raport nuk i paraqesin doemos ato të National Endowment for Democracy (NED).