Publikimi i raportit “Gjendja aktuale e integritetit në Policinë e Kosovës”

11/12/2020

Publikimi i raportit “Gjendja aktuale e integritetit  në Policinë e Kosovës”

Qendra Kosovarë për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar më 11 dhjetor (sot) raportin “Gjendja aktuale e integritetit  në Policinë e Kosovës” në konferencën e mbajtur në Prishtinë.

Videon e publikimit mund t'a gjeni këtu

Viteve të fundit, praktikat e integritetit të Policisë së Kosovës kanë hasur në sfida të ndryshme marrë parasysh edhe situatën e rënduar me pandeminë Covid-19. Zyrtarë të shumtë policorë u janë nënshtruar hetimeve penale nga mekanizmat përkatës të sundimit të ligjit për vepra tëpretenduara penale në lidhje me shkelje të procedurave ligjore që rregullojnë detyrat e tyre zyrtare. Në anën tjetër, një zhvillim tjetër i papritur ishte vendimi i kryeministrit të Kosovës i marrë në tetor 2020 për shkarkimin e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që i ka hapur rrugën ndikimit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë politik nga partitë në pushtet mbi Policinë e Kosovës. Për më tepër, kjo mund të ketë ndikim të dukshëm në dekurajimin e reformave strukturore në polici, veçanërisht në menaxhimin e burimeve njerëzore.

Raporti i QKSS-së analizon legjislacionin në fushën e integritetit policor, ndërsa si sfida kyçe mbesin miratimi i legjislacionit shtesë për sinjalizim dhe ndryshimi i Ligjit për deklarimin e pasurisë që ende nuk janë miratuar. Mungesa e vullnetit politik, e shoqëruar edhe nga kriza e vazhdueshme politike, ka pasur ndikim të rëndësishëm negativ në këtë drejtim. Po ashtu, nuk dihet ende nëse policia ka miratuar apo jo Rregulloren për Integritet. Mosmiratimi i Ligjit për pensionim të parakohshëm për zyrtarët policorë dhe Ligjit për trajtimin e invaliditetit vazhdon të sfidojë efektivitetin e Policisë së Kosovës. Ndërkaq, Plani aktual i Integritetit të Policisë së Kosovës është i vjetruar dhe ende nuk është miratuar plani i ri. Për më tepër, efektet e këtij dokumenti strategjik të policisë janë minimizuar edhe nga mospërfshirja e mekanizmave të jashtëm të mbikëqyrjes së Policisë së Kosovës në hartimin e tij, marrë parasysh rolin që luajnë mekanizmat e tillë në mbikëqyrjen e çështjeve për integritetin në Policinë e Kosovës.

Krahas kësaj, raporti ka analizuar mekanizmat e brendshëm të policisë në ngritjen e integritetit. Në këtë drejtim, mekanizmat e kontrollit të brendshëm të Policisë së Kosovës kanë identifikuar një numër të lartë të ankesave të pabazuara të parashtruara në këto mekanizma gjatë vitit 2019. Për pasojë, gjasat janë të mëdha të ketë pasiguri në lidhje me procedurat e raportimit dhe përpunimit të ankesave, qoftë nga qytetarët ose nga vetë zyrtarët policorë. Sfidat serioze mbesin edhe në menaxhimin e burimeve njerëzore, gjegjësisht Policia e Kosovës përballet me shpërndarje joadekuate të gradave në departamentet e veta dhe disa departamente përballen me mungesa në plotësimin e pozitave me gradat adekuate, ndërsa departamente të tjera e kanë tejkaluar numrin e gradave të parapara në disa pozita.

Sa i përket menaxhimit financiar, Policia e Kosovës e ka përmirësuar ekzekutimin e buxhetit të vet në vitin 2020. Sidoqoftë, shumica e kontratave për shpenzime kapitale në vitet 2019-2020, të cilat më parë ishin burim i sfidave në ekzekutimin e buxhetit janë dokumente të klasifikuara dhe si të tilla nuk janë audituar. Kjo tregon prirjen për klasifikim të tepruar të kontratave të prokurimit, duke krijuar kështu hapësirë për keqpërdorime të mundshme të ciklit të prokurimit.

Përmes këtij raporti, QKSS-ja ka nxjerrë disa rekomandime konkrete për Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera që e mbikëqyrin këtë institucion me qëllim ngritjen e integritetit policor dhe profesionalizimin e policisë. Një ndër rekomandimet është miratimi i legjislacionit plotësues në fushën e luftimit të korrupsionit dhe integritetit në polici, si dhe policia të jetë gjithëpërfshirëse sa i takon hartimit të plani të ri të integritetit dhe zbatimit të tij në praktikë.

Konferenca dhe raporti i publikuar nga QKSS është në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit në Policinë e Kosovës” me mbështetje të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Raporti mund të shkarkohet këtu.

Shënim: Konferenca për publikimin e këtij raporti është organizuar në përputhje të plotë me vendimet dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore e të Qeverisë së Kosovës për distancim social dhe higjienë, për shkak të situatës me pandeminë Covid-19.

Ky publikim mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit në Policinë e Kosovës”. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë përgjegjësi vetëm e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e KFOS-it.