PRIVATIZIMI I SEKTORIT TË SIGURISË NË KOSOVË: ZHVILLIMI DHE MANDATI I KOMPANIVE PRIVATE TË SIGURISË

19/05/2016

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), sot, më 19 Maj 2016, publikoi për audiencën e saj vendore hulumtimin e radhës i cili trajton temën “Privatizimin e Sektorit të Sigurisë në Kosovë: Zhvillimin dhe Mandatin e Kompanive Private të Sigurisë”.

Në konferencë, përveç autorëve të raportit Mentor Vrajolli dhe Donika Emini, të ftuar si panelistë për të diskutuar rreth gjetjeve ishin:Z. Agron Retkoceri- Udhëheqës i Divizionit për Shërbimet Private të Sigurisë;Z. Destan Mustafa - Udhëheqës i Divizionit për Armë dhe Eksploziv; Z. Agim Millaku - Zëvendës Kryeinspektor në Inspektoratin e Kosovës; dhe Z. Ekrem Dreshaj - Drejtor Ekzekutiv në DELTA Security.

Mentor Vrajolli, hulumtues i lartë në QKSS prezantoi të dhënat kryesore të raportit që trajton privatizimin e sektorit të sigurisë në Kosovë.  Të gjeturat tregojnë se numri i Kompanive Private të Sigurisë (KPS) është duke shënuar trend të rritjes në shumicën e vendeve në zhvillim, madje edhe në Ballkanin Perëndimor. Ngjashëm edhe në Kosovë, sektori privat i sigurisë është paraqitur pas përfundimit të luftës në vitin 1999, si rezultat i një fluksi të madh të ardhjes së misioneve ndërkombëtare, diplomatike dhe humanitare të cilave u nevojiteshin shërbime profesionale me roje dhe mbrojtje.

Sot, ky sektor numëron më shumë se 6.000 pjesëtarë (të licencuar) që punojnë në më shumë se 60 kompani (të licencuara) të sigurisë, shifër kjo gati e barabartë më numrin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Këto kompani ofrojnë shërbime siç janë: shërbimet themelore të sigurimit, shërbimet e mbrojtjes së afërt, transportin e parave të gatshme, shërbime të sigurimit në tubime /ngjarje publike, shërbimet e vëzhgimit elektronik të pronave.

Gjetjet kryesore të këtij hulumtimi tregojnë që ky sektor aq i gjerë nuk mbikëqyret sa duhet nga sektori publik. Divizionit për Kompanitë Private të Sigurimit (DKPS) i mungon mbështetja e mjaftueshme institucionale nga ana e MPB sa i përket punësimit të numrit të mjaftueshëm të stafit mbikëqyrës, ndërtimit të kapaciteteve, trajnimi dhe burimet financiare të cilat do të mundësonin që ato të ushtrojnë rolin e tyre në mënyrë efektive.

Gjetjet më kritike nga ky hulumtim janë se korniza ligjore nuk mbron në nivel të mjaftueshëm të drejtat e punonjësve të sigurimit privat. Përveç që punonjësit e sektorit privat të sigurisë nuk i gëzojnë benificionet dhe privilegjet që punonjësit te tjerë të sektorit publik të sigurisë kanë, në të vërtetë këta punëtorë ballafaqohen me një numër të madh problemesh të tjera me të cilat një numër i madh i punonjësve të sektorit privat ballafaqohen. Inspektorati i Punës i mungon vullneti si dhe duke pasur fushëveprimin e gjerë që ka, ka kapacitete mjaft të kufizuara për trajtimin e çështjeve të të drejtave të punonjësve të KPS-ve, derisa DKPS-ja udhëhiqet vetëm nga Ligji për Shërbime Private të Sigurisë (i cili nuk rregullon të drejtat e punonjësve) se si e tillë nuk është kompetente të i trajtoj shkeljet që ndodhen në këtë sektor.

Në anën tjetër është vërejtur se për momentin burimi më i madh i problemeve me të cilat KPS-të ballafaqohen është prokurimi publik. Siç dihet një nga klientët kryesor të cilët kontraktojnë shërbime të sektorit privat të sigurisë është sektori publik. Megjithatë, nuk janë të rralla rastet ku edhe institucione kyqe të sundimit të ligjit në Kosovë, përfshirë edhe ato të cilat janë përgjegjëse në implementimin e ligjit të punës, nëpërmjet zyrave të tyre të prokurimit nënshkruajnë kontrata të ndryshme me KPS ku ofertimi i çmimit të fuqisë punëtore shkon nën pagën minimale, obligimet për orar të punës, shfrytëzimin e pushimeve, etj.

Gjetjet tregojnë se ka pasur tentime (të pasuksesshme) në krijimin e shoqatave si dhe sindikatave që do të përfaqësonin interesat e KPS-ve dhe punonjësve të tyre dhe do të avokonin për interesat e tyre duke e lënë këtë sektor të paorganizuar dhe jo i bashkuar.