31/01/2023
Sot, me datën 31 Janar 2023, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka organizar konferencën për prezantimin e “Raportit për Vlerësimin Bazë të Dhunës në Baza Gjinore në Kosovë: Perceptimet e Komunitetit dhe Palëve të Interesit”, në të cilën janë diskutuar të gjeturat që vijnë nga perceptimet e komunitetit dhe palëve të interest që trajtojnë dhunën në baza gjinore. Raporti i prezantuar në konferencë është ndarë në katër pjesë: Të dhënat dhe trendët e raportimit për dhunën në baza gjinore, Procesi i trajtimit të rasteve të dhunës në baza gjinore: sfidat dhe kufizimet, Perceptimet mbi faktorët që ndikojnë në dhunën në baza gjinore në Kosovë dhe Perspektivat për rehabilitim dhe riintegrim për të mbijetuarit e dhunës në baza gjinore.
Rastet e raportuara të dhunës në familje janë në rritje e sipër, megjithatë mungesa e informacionit për raportimin e rasteve, stigma sociale, mungesa e besimit në institucione, mungesa e alternativave, dhe shkelja e konfidencialitetit e bëjnë këtë proces më të vështirë. Përpos këtyre, normat tradicionale dhe përpjekjet për ndërmjetësim familjar dekurajojnë raportimin e rasteve recediviste. Burokracia dhe procedurat e stërzgjatura ligjore po ashtu ndikojnë në mos raportim të rasteve.
Riintegrimi i të mbijetuarve të dhunës në baza gjinore është një nga sfidat kryesore që hasin institucionet e vijës së parë. Pavarësia ekonomike e të mbijetuarave, procedurat e rregullta të riintegrimit dhe shërbimet e kujdesit ditor për fëmijë do të ndihmonin shumë në zgjidhje efikase të rasteve të dhunës në baza gjinore.
Pas prezantimit të të dhënave, konferenca u pasua me një panel diskutimi mbi të gjeturat e raportit në të cilin ishin pjesmarrëse:
· Nazlie Bala – Këshilltare Politike në Ministrinë e Drejtësisë
· Afërdita Mikullovci- Kolonele në rajonin Mitrovicë e Jugut, Policia e Kosovës
· Erblina Dinarama- Drejtoreshë në Shtëpinë e Sigurt, Gjakovë
· Luljeta Demolli - Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore
· Leonida Molliqaj - Drejtoreshë Ekzekutive në Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion
Në kuadër të diskutimeve në panel, panelistet nga institucionet hisedare në trajtim të dhunës në baza gjinore shprehën se po bëjnë punë të mirë në trajtim të këtyre rasteve dhe se rastet trajtohen me prioritet nga këto të fundit. Në anën tjetër u shpreh nevoja e mbrojtjes së të dhënave dhe mbrojtja e dëshmitarëve të rasteve të dhunës në baza gjinore. Të gjithë u pajtuan se dhuna në baza në gjinore për fat të keq është fenomen në Kosovë e që është shumë shqetësuese. Në fund është diskutuar për përfshirjen e shoqërisë civile në hartimin e projektligjeve që prekin këtë temë dhe pjesëmarrje në plotësim/ndryshim të Kodit Penal. Për fund u shpreh nevoja e krijimit të definicioneve të unifikuara për shkaktarë të ndryshëm të dhunës në baza gjinore.
Raporti i plotë me të gjeturat është publikuar në faqen e QKSS-së dhe është i qasshëm në këtë link (në gjuhën shqipe dhe angleze) : https://qkss.org/al/publikimet/raporti-per-vleresimin-baze-te-dhunes-ne-baza-gjinore-ne-kosove-perceptimet-e-komunitetit-dhe-paleve-te-interesit
Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit “Gruaja, Paqja dhe Siguria”, që përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.