10/07/2015
Hulumtuesi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Plator Avdiu, ka marrë pjesë në seminarin me temë për rolin e Bashkimit Evropian në ndërtimin e paqes dhe parandalimin e konflikteve, i organizuar nga EPLO-European Peacebuilding Liaison Office (Zyrë Ndërlidhëse Evropiane për Ndërtimin e Paqes) në Bruksel, më 9-10 korrik 2015.
Në këtë seminar ishte diskutuar për kapacitetet institucionale të BE-së në përgjithësi dhe për funksionin e BE-së si akter i politikës së jashtme lidhur me ndërtimin e paqes në veçanti. Për më tepër, ligjërues të organizatave joqeveritare, instituteve hulumtuese dhe të institucioneve të BE-së kanë analizuar deri në hollësi rolin dhe sfidat e Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian, Këshillit të BE-së, Këshillit Evropian dhe Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm në ndërtimin e paqes në vende të ndryshme evropiane dhe më gjerë në vatrat e krizës. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin përfaqësues të organizatave joqeveritare nga vendet e ndryshme të Evropës, ndërsa në fund ishin hartuar edhe strategji avokimi për ndërtimin e paqes dhe parandalimin e konflikteve nga grupet e pjesëmarrësve sipas këndvështrimit të BE-së.