31/05/2019
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Grupi Ballkanik për Hulumtime të Politikave (BPRG) me datën 29 Maj 2019 në Prishtinë organizuan konferencën ndërkombëtar "Njëzet vjet pas: Perspektivat dhe sfidat për Ballkanin Perëndimor". Kjo konferencë kishte për qëllim diskutimin dhe analizimin e perspektivave, sfidave dhe zhvillimeve bashkëkohore midis shteteve të Ballkanit Perëndimor, BE-së dhe NATO-s në fushën e misioneve paqëruajtëse, integrimit dhe thellimit të bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe sfidat e rajonit për krijimin e një fqinjësie stabile.
Konferenca pati 4 sesione të përbëra nga panelistë të shquar të cilët kanë kontribuar kryesisht në fushën e sigurisë dhe marëdhënieve nderkombëtare. Këto panele trajtuan sfidat e Ballkanit Perëndimor dhe si mund të adresohen ato në mënyrë efikase dhe çfarë roli mund të ketë BE, ShBA dhe NATO për ta drejtuar Ballkanin Perëndimor në një të ardhme të qëndrueshme. Për më tepër, u diskutua edhe mbi tendencat më bashkëkohore të zhvillimeve të R2P (Përgjegjësië për të Mbrojtur) në nivel global dhe rajonal, me theks të veçantë në Ballkanin Perëndimor. Tutje, konferenca trajtoi bashkëpunimin aktual dhe të ardhshëm midis vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE, NATO, OKB dhe OSBE në fushën e misioneve paqeruajtëse dhe pozitën e shteteve të Ballkanit Perëndimor në ato misione. Përvec të tjerash, në konferencë u diskutua mbi rrugën drejt paqes dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë, nga një pikëpamje rajonale dhe ndërkombëtare.
Konferenca mblodhi rreth 200 përfaqësues të institucioneve, diplomatë, ekspertë, akademikë, studentë, përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile nga Kosova, BE, ShBA, Norvegjia, Hungaria, Gjermania, Sllovenia, Mbretëria e Bashkuar, Rusia, Maqedonia Veriore, Shqipëria dhe Serbia. Kjo konferencë u përkrah nga Ambasada e Norvegjisë në Kosovë dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur.