31/05/2019
Më 29 maj 2019, në Prishtinë, u mbajt konferenca ndërkombëtare me temën “Njëzet vite pas: Perspektivat dhe Sfidat për Ballkanin Perëndimor” që u organizua nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan (BPRG). Konferenca u organizua me rastin e njëzet vjetorit të hyrës së trupave të NATO-s në Kosovë.
Konferenca e organizuar nga QKSS dhe BPRG ka shtjelluar disa nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor kundrejt integrimit në organizata ndërkombëtare, përfshirë BE-në, NATO dhe organizata tjera të sigurisë.
Përveç ekspertëve vendas dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, në konferencë morën pjesë panelistë të shquar ndërkombëtarë, nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Norvegjia, Hungaria, Sllovenia, Rusia, Maqedonia dhe Shqipëria.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se “Kosova po kalon në një fazë ku duhet të merren vendime të vështira. Kosova është një storie suksesi e cila ende nuk ka përfunduar. Aspirata e Kosovës është anëtarësimi në BE dhe organizata tjera ndërkombëtare. Gjatë këtij rrugëtimi, ne kemi sfida tjera që duhet të tejkalohen. Por ne kemi bërë progres në rend dhe ligj, me themelimin e ushtrisë së Kosovës dhe përmbushjen detyrave tona si shtet.”
Ne anën tjetër, Susan Falatko, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Byronë për Evropë dhe Euroazi nga Departamenti Amerikan i Shtetit, theksoi se “qëllimi ynë, si ShBA, është një Ballkan Perëndimor i begatë dhe i qëndrueshëm, i rrënjosur në sundimin e ligjit dhe institucionet e konsoliduara demokratike”.
Ndërsa, Drejtor i Përgjithshëm për Marrëdhënie Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Niels Engelschiøn, tha se “Evropa nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Rajoni i përket kontinentit tonë gjeografikisht dhe nga kultura. Siguria, liria dhe prosperiteti ynë varen reciprokisht.”
Konferenca vazhdoi me tri panele të ndryshme të cilët shtjelluan tema të ndryshme. Paneli i parë filloi me temën Përgjegjësia për të Mbrojtur (R2P), që është një normë e sigurisë ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, e cila vihet në zbatim vetëm në raste të dështimit të bashkësisë ndërkombëtare për të parandaluar gjenocidin, krimet e luftës, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit. Pjesë e këtij debati ishin Muhamet Hamiti, ish-ambasador i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, Aidan Hehir, ligjërues në Universitetin Westminster në Mbretërinë e Bashkuar dhe Robert Wilton, zyrtar ndërkombëtar në Kosovë dhe Shqipëri. Ky panel u moderua nga Z. Ramadan Ilazi - Kandidat për Doktoratur në Politikë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Dublin City University.
Paneli i dytë ishte i fokusuar temën e misioneve paqeruajtëse. Thelbi i diskutimit ishte bashkëpunimi aktual dhe ai në ardhmen midis vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE, NATO, OKB dhe OSBE në fushën e misioneve paqeruajtëse. Po ashtu, në këtë panel u ngritën diskutime nga politikëbërja në nivelin akademik për forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor me akterë ndërkombëtarë.
Panelist të ftuar ishin Burim Ramadani, zëvendësministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Arian Starova, kryetar i Këshillit Atlantik të Shqipërisë dhe Giorgos Triantafyllou nga programi i Evropës Juglindore në ELIAMEP. Ky panel u moderua nga Z. Lulzim Peci - Drejtor Ekzekutiv, Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED).
Së fundmi, konferenca u mbyll me panelin i cili për temë kishte dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me qëllim të shqyrtimit të pikëpamjeve ndërkombëtare rreth marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve si dhe rrugëtimin e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit në BE. Pjesë e panelit ishin Blerim Shala, këshilltar i Presidentit të Republikës së Kosovës dhe njëherësh anëtar i ekipit negociator të dialogut, Christiane Hullmann që është zv/drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Zyrën Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Maxim Samorukov zv/kryeredaktor i Qendrës Carnegie në Moskë, Peter Grk, sekretar i përgjithshëm i forumit strategjik të Bledit nga Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë dhe Marko Savković, drejtor i programit nga Fondi i Beogradit për Ekselencë Politike (BFPE). Ky panel u moderua nga Znj. Donika Emini - Hulumtuese në QKSS.