23/07/2015
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), të mërkurën, 22 Korrik 2015 ka organizuar konferencën: “Perceptimi i Qytetarëve lidhur me Besueshmërinë dhe Integritetin në Policinë e Kosovës”. Gjatë kësaj konference janë prezantuar të dhënat nga sondazhi me qytetarë, me titull “Integriteti i Policisë në Ballkanin Perëndimor”. Në të njëjtën ditë janë mbajtur edhe tre konferenca tjera nga partneret rajonal të projektit PointPulse në Beograd, Sarajevë dhe Podgoricë. Sondazhi është realizuar gjatë muajit Qershor dhe Korrik 2015, me 1221 respondentë në mbarë territorin e Kosovës.
Gjatë konferencës hulumtuesit e QKSS-së, Skender Perteshi dhe Plator Avdiu kanë prezentuar të dhënat për perceptimin e qytetarëvë lidhur me Policinë e Kosovës dhe të dhënat krahasuese në lidhje me perceptimin e qytetarëve për Korrupsionin në Polici në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi.
Sipas anketës, qytetarët e Kosovës kanë renditur Policinë e Kosovës si më të besuarën në vend, me 56 %, e pasuar nga sistemi i edukimit me 55 %, mediat me 41 % dhe organizatat e jo-qeveritare me 38 %. Institucionet më pak të besueshme janë shfaqur Prokuroria me 24 %, Sistemi i Drejtësisë me 27 %, etj. Qytetarët janë pyetur edhe rreth perceptimit të tyre për një zyrtar të zakonshëm policor ku 29% e respodentëve e tyre e vlerësuan zyrtarin policor, si person i kulturuar dhe i sjellshëm, ndërsa rreth 24% e tyre vlerësuan zyrtarin policor si zbatues dhe mbrojtës i ligjit, i pasuar 18% të cilët i vlerësuan zyrtarët policor si persona të korruptuar dhe jo-profesional. Ndërsa, rreth pyetjes se a e konsideroni se niveli politik ka ndikim në punët operacionale të Policisë së Kosovës, 36 % e qytetarëve mendojnë se niveli politik ka shumë ndikim, i pasuar me 40 % të qytetarëve të cilët vlerësojnë se ndikimi politik është prezent deri në një masë në punët operacionale të policisë, si dhe 15% e qytetarëve vlerësuan se ndikimi politik është prezent në masë të vogël në punën operacionale të Policisë së Kosovës.
Si institucionet më të korruptuara qytetarë i vlerësuan Inspektoratet e tregut dhe punës me 61 %, i pasuar nga sistemi i drejtësisë me 62 %, si dhe niveli komunal me 28%, doganat me 57 %, kurse institucionet më pak të korruptuara vlerësuan OJQ-të me 42%, mediat me 47 % dhe Policia e Kosovës me 53%. Format më të shpeshta të korrupsionit në të cilat është e përfshirë Policia e Kosovës qytetarët vlerësuan marrjen e ryshfetit nga qytetarët me 45% e rasteve, e pasuar me nxjerrjen e dokumenteve nëpërmjet lidhjeve familjare me 13%, shitje të informacionit konfidencial nga ana e zyrtarëve policor me 7%, si dhe vjedhje gjatë hetimeve të policisë me 4%. Tek marrja e mitos, nga zyrtarët policor, 46 % e rasteve ishte bërë pasi qe zyrtari policor kishte kërkuar mito nga qytetarët, kurse 47 % e rasteve ishin qytetarët të parët ata të cilët ofruan mito tek zyrtarët policor.
Respondentet vlerësuan edhe rolin e Bashkimit Evropian si shumë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Respondentët janë pyetur se në çfarë mënyrë BE mund të ndihmoj në luftën kundër korrupsionit në Kosovë, 28 % e respondentëve menduan se BE duhet të ushtroj presion ndaj Qeverisë në luftën kundër korrupsionit, dhe të kushtëzohet mbështetja financiare e BE-së për Kosovën, me rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.