Komuna e Hanit të Elezit Nikoqire e Takimit Joformal Gruaja, Paqja dhe Siguria

21/06/2023

Komuna e Hanit të Elezit Nikoqire e Takimit Joformal Gruaja, Paqja dhe Siguria

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka organizuar sot një takim për Gjininë, Paqen dhe Sigurinë në partneritet me Komunën e Hanit të Elezit. Manifestimi kishte për qëllim promovimin e barazisë gjinore dhe trajtimin e sfidave të sigurisë me të cilat përballen gratë e kësaj komune. Takimi mblodhi së bashku aktorë të ndryshëm, duke përfshirë kryetarin e komunës z. Mehmet Ballazhi, drejtorë komunalë, aktiviste rinore, gra nga komuniteti, përfaqësues nga OSBE-ja dhe punonjës të policisë lokale.

Takimi filloi me diskutimin e përpjekjeve dhe përkushtimit të kësaj komune për barazi gjinore dhe sigurinë e grave. Si një hap drejt gjithëpërfshirjes, kjo komunë ka emëruar një numër të barabartë të grave dhe burrave në pozita drejtuese, duke siguruar një përfaqësim të balancuar. Kjo qasje kishte për qëllim promovimin e proceseve të drejta dhe gjithëpërfshirëse të vendimmarrjes brenda komunës. Disa nga rezultatet kryesore të kësaj përfshirjeje ishin dëgjimet buxhetore me gratë e komunës, përmirësimi i infrastrukturës për të garantuar sigurinë për gratë në këtë komunë dhe përmirësimi i gjuhës së ndjeshme gjinore.

Nisma për seancat buxhetore gjinore për të adresuar në mënyrë specifike nevojat e grave është një hap shumë i rëndësishëm i ndërmarrë nga kjo komunë. Duke ditur se gratë shpesh përballen me sfida të veçanta në kontekstin e sigurisë, këto seanca do të ofrojnë një mundësi për të ndarë burimet dhe për të zhvilluar strategji që kanë prioritet sigurinë dhe mirëqenien e grave në Han të Elezit. Kjo qasje pranon rëndësinë e ndërhyrjeve të përshtatura për të krijuar një mjedis ku gratë ndihen të sigurta dhe të barabarta.

Megjithatë, kësaj komune i mungon një zyrtare e emëruar për Barazi Gjinore, për shkak të kufizimeve buxhetore nga Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës. Zyrtarët komunalë janë vazhdimisht duke avokuar për emërimin e një zyrtareje e cila do të punonte ekskluzivisht me barazinë gjinore dhe do të drejtonte Mekanizmin Lokal kundër DHBGJ.

Gjithashtu, nga pikat tjera kyçe, ishte rëndësia e përfaqësimit të grave në institucionet e sigurisë për të përmirësuar sigurinë e grave në Han të Elezit. Takimi theksoi rëndësinë e integrimit të perspektivave gjinore në politikat dhe praktikat e sigurisë, duke krijuar një mjedis ku gratë ndihen të sigurta dhe të fuqizuara.

Fuqizimi i të rinjve ishte gjithashtu një temë kryesore gjatë takimit. Të pranishmit njohën rolin pozitiv që mund të luajnë të rinjtë në krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të sigurt. Ata theksuan nevojën për të përfshirë dhe fuqizuar aktivistët rinorë si shtytës të ndryshimeve pozitive.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.