LANSIMI I RAPORTIT “TRENDET E PERCEPTIMEVE TË QYTETARËVE PËR SIGURINË PUBLIKE NË KOSOVË”

5/05/2016

LANSIMI I RAPORTIT “TRENDET E PERCEPTIMEVE TË QYTETARËVE PËR SIGURINË PUBLIKE NË KOSOVË”

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), më 5 Maj 2016, në Prishtinë, ka organizuar konferencën ku ka lansuar gjetjet kryesore të Edicionit Special të Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS) - Trendet e Perceptimeve të qytetarëve për sigurinë publike në Kosovë. Në konference, përveç autores së raportit, të ftuar si panelistë për të diskutuar rreth gjetjeve ishin: Këshilltari i drejtorit të përgjithshëm të Policisë, z. Shefqet Beqaj, Zëdhënësi i policisë major Baki Kelani si dhe z. Ismail Smakiqi, Drejtor i Akademisë së Kosovës për siguri Publike në Vushtrri.

Sofije Kryeziu, autore e raportit prezantoj para audiencës të gjeturat kryesore të këtij edicioni special të BKS-së ku janë nxjerrë në pah perceptimet e qytetarëve ndaj sigurisë publike në Kosovë. Për më tepër, ka prezantuar të dhënat cilësore të mbledhura gjatë periudhës katërvjeçare: nga viti 2012 deri në vitin 2015, duke paraqitur trendet dhe modelet në lidhje me sigurinë publike.

Disa nga gjetjet kryesore të cilat janë shpalosur në këtë konferencë janë:

- Perceptimet e publikut sa i përket sigurisë publike në Kosovë me fokus në pjesët specifike të vendit;

- Rreziqet dhe kërcënimet kryesore në komunitet në Kosovë;

- Perceptimet publike mbi ofruesit kryesorë të sigurisë në Kosovë; dhe

- Perceptimet publike mbi masat që duhen ndërmarrë në mënyrë që të përmirësohet siguria publike në Kosovë;

Sipas rezultateve të mbledhura në terren përgjatë katër viteve del se mesatarisht, 40 përqind e qytetarëve ndihen të sigurt në Kosovë, 40 përqind nuk kanë ndonjë mendim të ndarë, nuk ndihen sigurt dhe as pasigurt, përderisa 20 përqind e qytetarëve ndihen të pasigurt në Kosovë. Përderisa, lagjet e banuara nga komuniteti serb dhe ato përgjatë vijës kufitare me Serbinë (të banuara nga komuniteti shqiptar) rezultojnë të ndihen më pak të sigurta në krahasim me qytetarët e rajoneve të tjera të Kosovës. Në anën tjetër, gratë kanë shprehur shkallë pak më të lartë të ndjenjës së sigurisë në shtëpitë/apartamentet e tyre në krahasim me burrat. Mirëpo, ndjenja e tyre e sigurisë zvogëlohet dhe është dukshëm më e ulët në nivel të komunitetit.

Ndër arsyet kryesore që kanë ndikuar në ndjenjën e sigurisë tek qytetarët nuk ndërlidhen me mbrojtjen që ata gëzojnë nga institucionet shtetërore e të sigurisë. Për më tepër, 52 përqind e qytetarëve ndihen të sigurt me faktin që ata jetojnë në një lagje të mirë dhe 35 përqind me faktin që ata jetojnë jetë normale dhe respektojnë ligjin dhe rendin. Në anën tjetër, vetëm  4 përqind e qytetarëve deklaruan që ndjehen të sigurt sepse institucionet shtetërore të sigurisë e kryejnë mirë punën e tyre.

Tri sfidat kryesore të sigurisë publike sipas perceptimeve të qytetareve dalin te jene: aksidentet në trafik, plaçkitjet dhe kafshët endacake. Në katër vitet e kaluara, mesatarisht 17,700 aksidente trafiku kanë ndodhur në vit, rreth 10,000 njerëz janë lënduar dhe më shumë se 120 persona kanë humbur jetën çdo vit. Ngjashëm, rreth 7000 plaçkitje janë raportuar në polici në dy vitet e fundit. Në anën tjetër, vetëm një përqindje e ulët e qytetarëve e konsideron dhunën në familje si problem komuniteti në Kosovë dhe për më tepër vërehet dozë ngurrimi për tu përgjigjur drejt mbi këtë çështje.

Përmirësimi i sistemit arsimor dhe zhvillimi ekonomik janë identifikuar nga më shumë se 90 përqind të respodentëve si dy masat primare të cilat do të ndikonin në përmirësimin e sigurisë publike në Kosovë.

Galeri nga Konferenca

#PublicSafety