14/12/2019
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) më 14 dhjetor 2019 publikoi edicionin e nëntë të Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS). BKS është një mjet i veçantë, përmes të cilit QKSS mat perceptimet publike në Kosovë. Edicioni i nëntë i Barometrit Kosovar të Sigurisë përbëhet nga dy kapituj. Derisa, kapitulli i parë mat perceptimet e qytetarëve lidhur me besueshmërinë në institucionet e sigurisë, drejtësisë, si dhe në institucione të nivelit qendror dhe lokal, kapitulli i dytë interpreton perceptimet e qytetarëve lidhur me korrupsionin në këto institucione.
Perceptimet mbi besueshmërisë në institucionet e shtetit dhe korrupsionin mund të dallojnë varësisht nga etnia, gjinia, zona dhe rajoni i banimit. Krahas kësaj, raporti përmban edhe analizë të kombinuar të të dhënave përtej interpretimit të përgjithshëm, gjë që i mundëson publikut të kenë një pamje të qartë dhe më kuptimplotë rreth besueshmërisë së qytetarëve në institucione. Lidhur me këtë, analizimi i rezultateve të besueshmërisë sipas zonave rurale/urbane, rajoneve gjeografike, përkatësinë etnike e gjinore, si dhe të dhënat e tjera plotësuese lidhur me të anketuarit, do t’i mundësojë audiencës që të vlerësojë dhe analizojë mendimet e qytetarëve të Kosovës lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe drejtësinë në Kosovë përgjatë vitit 2019.
Krahas rezultateve të Barometrin Kosovar të Sigurisë 2019 dolën gjetjet kyçe (sektorale):
● Institucionet e sigurisë vazhdojnë të jenë më të besueshme se ato të drejtësisë dhe qendrore edhe në këtë edicion të Barometrit Kosovar të Sigurisë;
● Institucionet e drejtësisë (gjykatat dhe prokuroria) vazhdojnë të kenë besim më të ulët se ato të sigurisë.
Për më tepër, rezultatet e vitit 2019 tregojnë se ka rënie të besueshmërisë së publikut në institucionet e sundimit të ligjit në krahasim me vitin e kaluar;
● Kuvendi dhe Qeveria vazhdojnë të mbesin institucionet më pak të besueshme në sytë e qytetarëve;
● Qeveria e Kosovës ka më së paku besim të qytetarëve nga të gjitha institucionet e matura në këtë edicion të Barometrit. Krahas kësaj, Barometri ka regjistruar se të anketuarit me të ardhura mujore më të ulta i besojnë më shumë Qeverisë se sa ata me të ardhura më të larta;
● Institucionet komunale vazhdojnë të gëzojnë besueshmëri më të lartë se ato qendrore.
Krahas gjetjeve të përgjithshme në lidhje me besueshmërisë ndaj sektorëve, rezultatet japin një pasqyrë intesante edhe sa i perkte institucionet specifike ku:
● Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besuar nga të gjitha institucionet që Barometri ka matur në këtë edicion;
● Edhe këtë vit, të anketuarit burra i besojnë Forcës së Sigurisë së Kosovës më shumë se gratë;
● Ndonëse me një rënie të vogël prej dy përqind nga viti i kaluar, 59 përqind e të anketuarve kanë shprehur besimin e tyre ndaj Policisë së Kosovës;
● Të anketuarat gra i besojnë më shumë Policisë së Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë, duke reflektuar kështu potencialisht një ndjenë të pasigurisë së grave në shoqëri;
● Risi e këtij edicioni të BKS është matja e besimit të qytetareve edhe ndaj Sherbimit Korrektues të Kosoves dhe Doganave. Rezultatet dëshmojnë besueshmëri të ulet ndaj Sherbimit Korrektues (me 30 përqind) dhe ndaj Doganave besueshmëria nuk ishte aq e knaqshme (me vetëm 35 përqind).
GJETJET KRYESORE LIDHUR ME KORRUPSIONIN:
● Më shumë se gjysma të anketuarve kanë thënë se i shohin Gjykatat dhe Prokurorinë si të korruptuara. Për të anketuarit, Gjykatat kanë rezultuar të jenë institucioni më i korruptuar në Kosovë;
● Sa i përket perceptimit të publikut lidhur me korrupsionin në komunat e Kosovës, vërehet një rritje këtë vit në raport me vitin e kaluar;
● Forca e Sigurisë së Kosovës shihet si institucioni më së paku i korruptuar;
● Rezultatet e vitit 2019 dëshmojnë se niveli i korrupsionit në polici ka shënuar rënie prej katër përqind në krahasim me vitin 2018;
Ky raport është publkuar në kuadër të programit Barometri Kosovar i Sigurisë. Perceptimet e paraqitura në këtë raport janë përmbledhje e përgjigjeve të marra nga të anketuarit dhe tregojnë mënyrën si i perceptojnë ata institucionet. Ky nuk është vlerësim përfundimtar i punës së institucioneve që janë temë e këtij studimi. Raporti do t’u shërbejë atyre si instrument për të adresuar mangësitë e mundshme, por edhe si tregues i efektivitetit të komunikimit të tyre me qytetarët.
Pikëpamjet e paraqitura në këtë raport janë perceptimet e të anketuarve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë. Opinionet e shprehura në këtë raport nuk përfaqësojnë pikëpamjet e National Endowment for Democracy (NED).