1/12/2021
Në kuadër të projektit PAVE, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) organizoi takimin e dytë me hisedarë për të diskutuar dhe konsultuar gjetjet paraprake nga puna në terren në lidhje me cenueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e komunitetit ndaj offline dhe online (de ) radikalizimit.
Pjesëmarrës në takim ishin, ndër të tjera, një zyrtar i lartë i Divizionit për Parandalimin dhe Riintegrimin e Personave të Radikalizuar të Departamentit për Siguri Publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe ish-udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Kosovës, studente nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, qytetarë aktivë nga komuna e Mitrovicës, etj.
Takimi u nda në dy pjesë. Në pjesën e parë, hulumtuesi nga QKSS prezantoi gjetjet empirike nga hulumtimi në terren në lidhje me cenueshmërinë e komunitetit ndaj radikalizimit offline dhe online, i cili u pasua nga një diskutim me pjesëmarrësit të cilëve iu kërkua të komentojnë nëse gjetjet qëndrojnë nga këndvështrimi i tyre, dhe nëse diçka mungonte. Pas përfundimit të pjesës së dytë, i njëjti proces u përsërit për hulumtimin mbi qëndrueshmërinë e komunitetit ndaj radikalizimit online dhe offline.
Gjatë takimit pjesëmarrësit konfirmuan gjetjet nga hulumtimi në terren dhe sugjeruan disa shtjellime të mëtejshme në lidhje me rëndësinë e përfshirjes së plotë të udhëheqësve fetarë në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Pjesëmarrësit sugjeruan se ekziston një komunitet në internet në zhvillim sipër që që në mënyrë proaktive dhe në baza vullnetare promovon kundërnarrativa ndaj ekstremizmit të dhunshëm, siç është platforma FolTash. Për më tepër, të pranishmit u pajtuan se mungesa e një procesi të ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë, si dhe përpjekjet e revizionizmit të së kaluarës dhe mosmarrja e përgjegjësisë për krimet kundër njerëzimit që janë kryer në Kosovë gjatë luftës është një faktor kryesor që krijon cenueshmëri në komunitet.
Pjesëmarrësit ranë dakord gjithashtu se karakteri i fortë laik i shoqërisë kosovare, zakonet shoqërore dhe tradita e tolerancës fetare në vend kanë formësuar qëndrueshmërinë e komunitetit kundër radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ish-udhëheqësit fetarë, të pranishëm në takim, argumentuan gjithashtu se më shumë bashkëpunim dhe mbështetje nga qeveria dhe komuniteti ndërkombëtar për organizatat me bazë fetare në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm është thelbësor.