13/11/2014
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë (QBPS) organizuan konferencën me titull: “Procesi i integrimit në BE dhe e ardhmja e marrëdhënieve shqiptare-serbe”. Kjo është konferenca e shtatë me rradhë e cila u organizua në Tiranë, më 13 Nëntor 2014 si pjesë e Forumit të Hulumtimeve mbi Sigurinë: “Beograd-Prishtinë-Tiranë”, projekt ky i përbashkët 3-vjeçar i tre organizatave që kanë për qëllim të kontribuojnë në përmirësimin e marrëdhënieve në mes të Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë. Projekti mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Norvegjisë.
Konferenca kishte si qëllim diskutimin e rolit të elitave politike dhe shoqërore në rritjen e përpjekjeve ndaj pritshmërive që rrjedhin nga agjenda e përbashkët evropiane dhe rrugët nëpërmjet së cilave serbët dhe shqiptarët do të mund të përmirësojnë marrëdhëniet mes tyre.
Gjatë fjalës hyrëse, diplomatë të huaj dhe përfaqësues të Parlamentit, si Arta Dade, Aldo Bumçi, Romana Vlahutin dhe Jan Braathu, nënvizuan rëndësinë e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit rajonal, si një mënyrë për të zhvilluar potencialet e plota të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, ata përmendën nevojën për implementimin e Marrëveshjes së Brukselit nga ana e Kosovës dhe Serbisë, ndërsa nënvizuan idenë se BE dhe Ballkani Perëndimor janë të pandashëm. Sipas tyre, BE-ja në esencën e saj është një projekt paqeje i bazuar mbi kompromis dhe bujari, prandaj vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë parasysh se prosperiteti dhe agjenda e BE-së është rruga e vetme për përparimin e tyre drejt zhvillimit ekonomik dhe social.
Në panelin e parë morrën pjesë politikanë dhe analistë politik si Paska Milo, Dusan Janjic dhe Sokol Dervishaj të cilet u fokusuan tek e ardhmja evropiane e Serbisë, Kosovës dhe Shqipërise, sikurse tek fuqia transformuese e BE-së. Ata theksuan se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të jenë të sigurtë dhe të lëvizin drejt BE-së vetëm nëse liderët politik do të lirohen nga obsesionet nacionaliste. Si një hap I rëndësishëm për bashkëpunimet e ardhshme ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor u përmend Samiti i Berlinit, ndërsa si një ide e mundshme për bashkëpunim u theksua nevoja për krijimin e “Beneluksit Ballkanik”.
Paneli i dytë u fokusua tek bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe përvojat e fituara nga zhvillimet e fundit përbrenda trekëndëshit Beograd-Prishtinë-Tiranë. Shpend Kursani, Sonja Stojanovic -Gajic dhe Arjan Dyrmishi diskutuan se si njohuritë më të gjera për shoqëritë e këtyre tri vendeve do të ndikojnë në ndryshimin e përceptimeve. Për më shumë, ata nënvizuan se normalizimi I marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të jenë të rezervuara eksluzivisht vetëm për politikë, por duhet të zhvillohen njëkohësisht të gjitha nivelet e shoqërive. Ndër të tjera, u theksua se siguria mund të jetë një pikë hyrëse në përmirësimin e bashkëpunimit midis tre vendeve, duke qënë se ne të gjithë përballemi me të njëjtat sfida, si krimi i organizuar apo terrorizmi, ndërsa qeveritë përkatëse duhet të ecin përpara me kusht që të arrihet zbatimi i marrëveshjeve për sundimin e ligjit, ndjekjes penale dhe intelegjencës.
Si përfundim, u vërtetua se rruga e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE duhet të konsiderohet si i vetmi opcion për zgjidhjen e problemeve ekzistuese në marrëdheniet bilaterale dhe rajonale, duke theksuar kështu integrimin e vlerave, konsolidimin e paqes dhe zhvillimin ekonomik të rajonit. Në konferencë morën pjesë politikanë të ndryshëm, përfaqësues të ambasadave dhe misionet e jashtme të akredituara në Shqipëri, përfaqësues të institucioneve shtetërore që meren me siguri si dhe analistë, akademikë, student dhe mediat.