28/05/2014
Më 27 Maj 2014, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë organizoi konferencën ndërkombëtare me titull ‘Pozita e Gruas në Sektorin e Sigurisë dhe Zbatimi i Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara’. Konferenca u organizua në partneritet me Divizionin për Diplomaci Publike të NATO-s, ku njëherësh shënon edhe iniciativën e parë në mes të një instituti Kosovar dhe NATO-s.
Konferenca mblodhi një numër të madh të akterëve të fushës së sigurisë, përfaqësues të lartë nga selia e NATO-s në Bruksel, ekspert rajonal nga fusha e sigurisë, përfaqësues nga Ambasadat në Kosovë, akademik, e aktivist të shoqërisë civile.
Drejtori Ekzekutiv i QKSS, Florian Qehaja, Ministri në Detyrë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, si dhe Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Mari Skaare, në fjalën e tyre hyrëse përgëzuan këtë iniciativë ndërkombëtare duke cilësuar se Kosova ka punuar dhe vazhdon të kontribuoj me përkushtim të madh në inkuadrimin e gruas në institucionet e sigurisë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Paneli i parë diskutoi mbi pozitën e gruas në institucionet e sigurisë si dhe në Forcat e Armatosura në Malin e Zi dhe Slloveni me ekspertet e ftuar te kësaj fushe, Olivera Injac dhe Rok Zupancic. Të dy panelistët shpalosën eksperiencat e tyre personale si dhe progresin e arritur dhe sfidat e mbetura ne përfshirjen e gruas ne institucionet e sigurisë në vendet anëtare të NATO-s dhe ato aspirantë.
Në konferencë gjithashtu u prezantuan të gjeturat preliminare të hulumtimeve mbi pozitën e gruas në sektorin e sigurisë dhe implementimin e Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara nga katër autoret e përzgjedhur si pjesë e këtij projekti. Gjithashtu, njeri nga raportet është publikuar si rezultat i bashkëpunimit ne mes te QKSS dhe Ministrisë së Forcës se Sigurisë se Kosovës.
Paneli i tretë shqyrtoi implikimet e Rezolutës së OKB-se 1325 për zhvillimin e operacioneve dhe misioneve të udhëhequra nga NATO në KFOR dhe ISAF. Dy përfaqësueset e larta nga NATO si dhe Këshilltarja Gjinore nga KFOR prezantuan rolin dhe pjesëmarrjen e gruas ne operacionet dhe misionet e tilla si dhe elementet kryesore për implementimin e Rezolutës 1325.