22/05/2014
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) organizon konferencën ndërkombëtare të titulluar: “Pozita e Gruas në Sektorin e Sigurisë dhe Zbatimi i Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara”.
Konferenca organizohet për herë të parë në Kosovë si partneritet i një instituti Kosovar dhe NATO-s ku fillimisht si temë është caktuar roli i gruas në sektorin e sigurisë. Në konferencë do të ketë përfaqësues të lartë nga selia e NATO-s në Bruksel si dhe profesorë nga Shqipëria, Sllovenia e Mali i Zi.
Konferenca ka për qëllim që të diskutojë pozitën e gruas në sektorin e sigurisë në Kosovë duke përfshirë vendet anëtarë të NATO-s dhe ato aspirante. Qëllimet të tjera lidhur me konferencën kanë të bëjnë me ofrimin e një platforme hulumtuese si dhe diskutimin e fokusuar në çështjet e Rezolutës 1325 të OKB-së. Krahas diskutimeve, referues të caktuar do të prezantojnë gjetjet e hulumtimeve të tyre individuale për pozitën e gruas në sektorin e sigurisë në Kosovë, rajon dhe Evropë. Gjithashtu, një panel do të jetë enkas për pozitën e gruas në misionet e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Afganistan (ISAF).
Të gjitha prezantimet do të mbahen në gjuhën shqipe (do ketë përkthim nё gjuhën angleze, në gjuhën shqipe, serbe dhe anasjelltas).
Të gjithë personat e interesuar për të marrë pjesë në konferencë, duhet të konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre në e-mail adresën e mëposhtme: [email protected] apo numrin e telefonit: +381 (0) 38 221 420.