KONFERENCË: BAROMETRI KOSOVAR I SIGURISË - EDICIONI I IV-TË

16/12/2014

KONFERENCË: BAROMETRI KOSOVAR I SIGURISË - EDICIONI I IV-TË

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) lansoi sot te rezultatet e Edicionit te katërt te Barometrit Kosovar te Sigurisë (BKS). Me anë të këtij programi QKSS ka bërë matjen e opinionit publik rreth besueshmërisë së qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë, mendimet e qytetarëve ndaj sfidave dhe kërcënimeve të sigurisë nacionale duke përfshirë kërcënimet e brendshme dhe të jashtme. Anketa është realizuar gjatë muajit tetor me 1101 respodentë nga mbarë territori i Republikës së Kosovës.

Rezultatet e Barometrit Kosovar të Sigurisë tregojnë për një besueshmëri shumë të ulët në  institucionet e ekzekutivit, të drejtësisë dhe atyre sundimit të ligjit siç janë: Një përqidnje shumë e lartë e qytetarëve të Kosovës nuk i besojnë punës së Qeverisë së Kosovës, 63 % e qytetarëve të Kosovës nuk kanë besim në punën e qeverisë. Pas Qeverisë së Kosovës qytetarët me besueshmëri më të ulët vlerësuan Prokurorinë e Kosovës me 52.6 % të cilët nuk kanë besim në punën e prokurorisë së shtetit, si dhe sistemi gjyqësor i Kosovës me 50.9 % të qytetarëve të cilët nuk i besojnë sistemit gjyqësor të Kosovës si dhe EULEX  41.9 % e qytetarëve të cilët nuk i besojnë punës së EULEX-it. Ky është një tregues shumë i mirë se  qytetarët e Kosovës  nuk janë të kënaqur me punën e institucioneve shtetërore dhe prezencës ndërkombëtare në vend. Shkalla e ulët e besueshmërisë ndaj këtyre institucioneve sipas qytetarëve të Kosovës vjen si një rezultat mungesës së dëshirës për luftimin e korrupsionit në institucionet publike, krimit të organizuar, si dhe një efikasitet shumë i ulët  dhe të ngadaltë për zgjidhjen e rasteve të shumta gjyqësore.

Qytetarët e Kosovës mesatarisht i besuan punës së Policisë së Kosovës 43.5 %e qytetarëve i besojnë punës së Policisë së Kosovës, si dhe 33.6 % e qytetarëve kanë besim mesatar ndaj punës së Policisë së Kosovës. Ata si pengesë kryesore e bashkëpunimit të tyre me Policinë e Kosovës ishin njohuritë e pamjaftueshme se si të kontaktohet me PK, si edhe në rast të bashkëpunimit me institucionin policor,ata frikësohen nga mundësia e  zbulimit të identitetit apo rrjedhje të informacionit nga policia. Qytetarët vlerësuan si institucionet me performancë dhe besueshmëri më të lartë, Forcën e Sigurisë së Kosovës, (65.8%), Zjarrfikësit (66.8%) si dhe KFOR-in (63.8%). Sipas tyre këto institucione gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve në ofrimin e mbrojtjes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës.

Barometri Kosovar i Sigurisë ka bërë matjen e opinionit publik lidhur me shkallën e korrupsionit në institucionet politike, të sigurisë dhe drejtësisë. Si kampionë për korrupsion ata vlerësuan këto institucione: Qeverinë e Kosovës 73%, Prokuroria e Kosovës 87.4 %, Sistemi Gjyqësor  80.8 % Komunat 55 %. Ndërsa lidhur me Policinë e Kosovës 34 % e qytetarëve të Kosovës mendojnë se korrupsioni është prezent në polici, kurse 29.25 menduan se korrupsioni deri në një masë është prezent në Policinë e Kosovës. Kurse Forca e Sigurisë së Kosovës është vlerësuar si institucioni më pak i korruptuar në Kosovë, ku vetëm 7.5% e qytetarëve mendojnë se FSK është e korruptuar.

Qytetarët shprehën shqetësimet e tyre lidhur me kërcënimet dhe rreziqet për sigurinë nacionale të shtetit, duke përfshirë kërcënimet e brendshme dhe ato të jashtme: Kërcënimet kryesore të brendshme sipas tyre janë: papunësia 77.4%, i pasuar nga  korrupsioni 72.8 %, stabiliteti i brendshëm  politik 50.0% dhe liberalizimi i vizave 45.0 %.

Si kërcënimet kryesore të jashtme të sigurisë nacionale qytetarët vlerësuan këto rreziqe: Pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat në Siri dhe Irak 84.3 %, qasja e Serbisë ndaj Kosovës 72.1%, terrorizmi ndërkombëtar 60.5%, ndërhyrjet politika nga vendet e jashtme 48.4%,  si dhe sjellja e sëmundjeve dhe vdekjeprurëse me 72.9.

Qytetarët janë pyetur edhe për burimet e kërcënimeve dhe rreziqeve të brendshme të Kosovës të cilët  si burime i vlerësuan këto: Krimi i organizuar 85.1 %,  problemet në Veriun e Kosovës me 73.2%,  Radikalizmin fetar në Kosovë me 66.5%, si dhe fatkeqësitë natyrore me 35.4 %.

QKSS për një kohë të gjatë ka rekomanduar institucionet e shtetërore të Kosovës për të ngritur përformancën e tyre me qëllim të rritjes së besimit të qytetarëve ndaj tyre. Shkalla e lartë e korrupsionit në institucionet shtetërore ishte ndër faktorët kryesor i cili po e pengon bashkëpunimin dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore në Kosovë.

Ky projekt u mbeshtet nga Fondacioni Amerikan National Endowment for Democracy (NED).

Tweets about @kcssqkss #KSB14