26/12/2023
Më datën 19 dhjetor u mbajt Konferenca për Gratë, Paqe dhe Siguri, me fokus kryesor në integrimin gjinor në sektorin e sigurisë në Kosovë. Synimi i konferencës ishte të thellojë njohuritë lidhur me barazinë gjinore në sektorin e sigurisë, veçanërisht të adresojë sfidat që përballen gratë në Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe të propozojë strategji vepruese për të nxitur integrimin gjinor në këtë sektor.
Gjatë konferencës, Adelina Hasani, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, prezantoi dy hulumtime të fokusuar në integrimin gjinor në Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Qëllimi kryesor i këtyre dy hulumtimeve ishte të ndanin njohuri për nxitjen e gjithëpërfshirjes, përmirësimin e mekanizmave të raportimit dhe avancimin e diversitetit gjinor brenda sektorit të sigurisë në Kosovë.
Paneli i parë u fokusua në integrimin gjinor në Policinë e Kosovës, ku morën pjesë Jeta Tela, shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Florie Hajra, kolonele, Teuta Nimani, majore, Igballe Rugova, drejtore ekzekutive e Rrjetit të grave të Kosovës, dhe Adelina Hasani, hulumtuese në QKSS, ndërsa paneli u moderua nga Ramadan Ilazi, udhëheqës i hulumtimeve në QKSS.
Në këtë panel u diskutua numri i ulët i gra të punësuar në Policinë e Kosovës, veçanërisht në pozita drejtuese, duke theksuar nevojën urgjente për të adresuar këtë çështje. Gjithsesi, pjesëmarrja e grave në Policinë e Kosovës, ka çuar në thyerjen e barrierave për përfaqësimin e tyre në këtë sektor dhe për adresimin e nevojave specifike të tyre. Megjithatë, përkundër progresit, Kosova ende përballet me sfida të shumta të barazisë gjinore, veçanërisht në pozita udhëheqëse. Mentaliteti patriarkal, diskriminimi dhe stereotipet kanë paraqitur barriera domethënëse për përfshirjen e grave në vendimmarrje në të gjitha nivelet, përfshirë edhe sektorin e sigurisë. Përkundër disa përmirësimeve të dukshme, rrugëtimi drejt rritjes së përfaqësimit të grave në Policinë e Kosovës është çështje ende duke vazhduar.
Në panelin e dytë u diskutua për perspektivën gjinore brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku morën pjesë Halime Morina, shefja e njësisë për të drejtat e njeriut dhe barazi gjinore në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, Vjosa Maloku, nënkolone dhe shefe e sektorit të zhvillimit të karrierës në shtabin e përgjithshëm të FSK-së, Majlinda Lulaj, zëvëndës avokatja e popullit, dhe Adelina Hasani, hulumtuese në QKSS. Paneli u moderua nga drejtori ekzekutiv i QKSS-së, Mentor Vrajolli.
Në këtë panel, diskutimi u përqëndrua te pozitat udhëheqëse brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës që sjellin sfida të dallueshme për gratë, të formuar nga faktorët sistematikë dhe shoqërorë. Në mjediset tradicionalisht të dominuara nga burrat, siç është forca e sigurisë, gratë shpesh përballen me barriera që pengojnë avancimin e tyre profesional dhe efektivitetin e lidershipit. Nevojiten përpjekje për të përforcuar përfshirjen e grave në rolet udhëheqëse. Mungesa e përfaqësimit të grave në pozitat udhëheqëse në forcën e sigurisë jo vetëm që kufizon mundësitë e mentorimit, por gjithashtu rritë gjasat e diskriminimit dhe ngacmimit, duke rezultuar në një mjedis pune më pak mbështetës.
Konferenca u përmbyll me një theks të veçantë në urgjencën për integrimin e perspektivës gjinore në sektorin e sigurisë dhe për rritjen e numrit të grave në pozita menaxheriale.