3/06/2025
QKSS organizoi tryezë diskutimi për Dialogun Strategjik mbi Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe BE-në si akter sigurie
Prishtinë, 3 qershor 2025: Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) organizoi një tryezë diskutim të nivelit të lartë në Prishtinë me Profesorin Omar Ashour, një studiues i shquar i studimeve të sigurisë dhe ushtarake, për të diskutuar ndryshimet në peizazhin gjeopolitik në Lindjen e Mesme, luftën në Ukrainë dhe rolin në zhvillim të Bashkimit Evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Ky takim mblodhi së bashku diplomatë, studiues dhe akterë të shoqërisë civile për një diskutim sipas rregullave të Chatham House.
Diskutimi nxori në pah rikthimin e fuqive të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe presionin në rritje ndaj Bashkimit Evropian për të vepruar në mënyrë më strategjike në komunitetin e tij. Pjesëmarrësit vunë në dukje se Presidentit rus Vladimir Putin nuk i intereson paqja, por synon të zgjasë luftën dhe të nxisë destabilizimin në fushat me interes të SHBA-së dhe BE-së, përfshirë Ballkanin Perëndimor, duke theksuar nevojën urgjente për mbështetje të qëndrueshme dhe të shtuar për Ukrainën dhe akterët pro-BE në Ballkanin Perëndimor. U vu re se Ukraina ka nevojë për municione dhe ndihmë mbrojtëse, të cilat duhet të rriten dhe të ofrohen pa vonesë. Kosova duhet gjithashtu të shqyrtojë mundësitë për të ofruar një mbështetje të tillë.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi mangësitë e Bashkimit Evropian në qasjen ndaj Rusisë dhe Ballkanit Perëndimor, duke argumentuar se politikat e pajtimit kanë dështuar dhe se nevojitet një Bashkim Evropian më i vendosur dhe më i strukturuar për të mbrojtur vlerat demokratike dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Biseda theksoi nevojën për një kohezion të brendshëm më të fortë brenda BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, si dhe domosdoshmërinë për të shkuar përtej reagimeve simbolike dhe drejt një angazhimi strategjik konkret.
Nëse ky Komision Evropian është një “komision gjeopolitik”, ashtu siç ka deklaruar publikisht Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, atëherë BE-ja tashmë është vonuar në avancimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë, veçanërisht në fusha të caktuara të politikave, siç janë për shembull, siguria kibernetike apo kontrolli i investimeve të huaja direkte.
Ky Diskutim vuri në pah më tej rëndësinë e forcimit të aleancave për Kosovën, po ashtu ky diskutim riafirmoi se ruajtja dhe thellimi i partneriteteve strategjike, veçanërisht me NATO-n, SHBA-në dhe shtetet kryesore anëtare të BE-së, mbetet thelbësore për sigurinë e saj.