22/11/2016
Në kuadër të aktiviteteve për ngritjen e integritetit në sektorin e sigurisë në Kosovë, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), më 19 nëntor, ka prezantuar perspektivën nga shoqëria civile për planet e integritetit në punëtorinë e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me temën “Integriteti në Institucionet Publike”.
Hulumtuesi i QKSS-së, Plator Avdiu, ka diskutuar për nevojën e hartimit të planeve të integritetit në institucionet e sigurisë dhe për zbatimin e tyre përmes hapave konkret. Në këtë drejtim, ai ka theksuar kontributin e dhënë profesional nga QKSS-ja në hartimin e Planit të Integritetit për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (2016-2018) dhe matricën e masave për zbatimin e këtij plani. Ndërkaq, sa i përket Policisë së Kosovës, Avdiu ka konstatuar se ky institucion ende nuk e ka një plan të tillë, ndonëse ka plotësuar dokumentet që kanë të bëjnë me promovimin e integritetit, siç është Kodi i Etikës. Për më tepër, është prezantuar puna hulumtuese e QKSS-në këtë drejtim ku janë përmendur sfidat dhe problemet kryesore në fushën e integritetit me të cilat përballen Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, siç janë burimet njerëzore, korrupsioni, prokurimi publik dhe forcimi i mekanizmave të kontrollit të brendshëm.
Në punëtorinë e organizuar nga KDI-ja, e cila u mbajt në Durrës, më 18-20 nëntor 2016, morën pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, institucioneve të drejtësisë, komunave të Kosovës, agjencive të pavarura, shoqëria civile dhe mediat.