28/01/2014
Hulumtuesja e QKSS, Sofije Kryeziu ka qenë pjesë e panelit në Konferencën e organizuar nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale me rastin e shënimit të Ditës së Mbrojtjes së të Dhënave. Në këtë event hulumtuesja ka mbajtur një prezantim me temën "Roli i Shoqërisë Civile në Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Privatësisë" ku informoi të pranishmit për rolin e shoqërisë civile në Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përkatësisht aktivitetet e ndërmarra nga QKSS në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale në katër vitet e fundit. Përveç kësaj prezantimi u fokusua në njohuritë e qytetarëve të Kosovës për mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Privatësisë. Qëllimi kryesor i prezantimit ishte që të theksohet nevoja e ngritjes së vetëdijes dhe sensibilizimit të qytetarëve të Kosovës për mbrojtjen e të dhënave personale, pasi qe nga sondazhi i realizuar në fund të vitit 2013 nga QKSS, mbi 70% e qytetarëve janë deklaruar që kryesisht nuk kanë njohuri për të drejtat e tyre të privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Z. Ruzhdi Jashari, Mbikëqyrës Kryesor Shtetëror/AShMDhP mbajti fjalim hyrës, duke folur mbi rolin e Agjencisë në Mbrojtjen e të Dhënave.
Fjalë rasti mbajtën: Shkëlqesia e Tij Z. Jan Braathu, Ambasador i Norvegjisë; Z. Christof Stock, Shef i Bashkëpunimit - EEAS/EU, si dhe Z. Ahmet Isufi, Kryetar i Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës.
Një pjesë e mirë e organizimit është rezervuar për panelistët, të cilët prezantuan punime në lidhje me çështjet e mbrojtjes së privatësisë dhe të dhënave personale.
Paneli përbëhej nga:
Z. Mentor Hoxhaj, Zv. Mbikëqyrës Kryesor Shtetëror/ASHMDHP bëri hapjen e diskutimit të panelistëve duke folur njëkohësisht për temën: Privatësia dhe Aplikacionet në Telefonat e Mençur.
Znj. Sofije Kryeziu, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë foli për Rolin e Shoqërisë Civile në Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Privatësisë;
Z. Tanzer Abazi, DARTS shpalosi një material shumë praktik me karakter udhëzues rreth përdorimit të sigurt të Internetit, e sidomos të postës elektronike të titulluar Si ta Ruajmë Privatësinë, si dhe
Z. Andras Jori, Eksperti Mbrojtjes së të Dhënave mbajti një fjalim të ndërlidhur me temën e konferencës.
Karakteristikë e këtij viti në shënimin e kësaj dite ishte përmbyllja e projektit ‘’Privatësia Ime’’, të organizuar nga AShMDhP dhe Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë me qëllim të sensibilizimit të opinionit lidhur me mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale. Me ketë rast janë përzgjedhur dhjetë shkolla nga dhjetë komuna, me ç'rast janë shpallur gjashtë fitues në nivel qendror ku një shpërblim u ftua që ta ndajë hulumtuesja e QKSS, Sofije Kryeziu.