GRUAJA NË SEKTORIN E SIGURISË

26/03/2015

QKSS në bashkëpunim me NDI në kuadër të Javës së Gruas organizoi panelin e diskutimit me temën: Gratë në Sektorin e Sigurisë.

Qëllimi i këtij diskutimi ishte ekzaminimi i situatës aktuale sa i përket integrimit gjinor në sektorin e sigurisë në Kosovë; Diskutimi lidhur me rëndësinë e përfshirjes së grave në procesin e bërjes së politikave për siguri; Inspirimi i grave për të konsideruar të ardhmen në fushën e sigurisë. Vend të veçantë në këtë panel zuri edhe prezentimi i perceptimeve të grave për institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, si dhe siguria në komunitet.

Pjesëmarrës në këtë panel ishin:

-Florian Qehaja, Drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.

-Ganimete Musliu, Anëtare e Komisionit për Punë të Brendshme

-Elmina Mahmuti, Drejtore për Rajonin e Gjilanit në Policinë e -Kosovës.

-Flora Macula, Drejtore e UN Women në Kosovë.

-Donika Emini, Hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë.

Drejtori Ekzekutiv i QKSS, Florian Qehaja, në fjalën e tij hyrëse përgëzoi këtë iniciativë të NDI për organizimin e eventeve të këtij kalibri. Për më tepër Florian Qehaja ka konsideruar partneritetin me QKSS si një hap të suksesshëm drejt rritjes së përfaqësimit dhe të avansimit të rolit të gruas në sektorin e sigurisë.

Më tej Ganimete Musliu dhe Elmina Mahmuti kanë ndarë eksperiencat e tyre rreth punës në sektorin e sigurisë duke potencuar sfidat e përfaqësimit të gruas në sektorin e sigurisë dhe punës me uniformë. Gjatë këtij diskutimi u theksua rëndësia e përfshirjes së grave në procesin e bërjes së politikave të sigurisë dhe për motivimin e grave që të konsiderojnë ndërtimin e karrierës në fushën e sigurisë. Kurse, Flora Macula nga UN Women prezentoi sfidat e implementimit të Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara, dhe punën me gratë ne terren.

Hulumtuesja e QKSS, Donika Emini ka prezentuar të dhënat e Barometrit Kosovar të Sigurisë duke u fokusuar në perceptimet e grave për sektorin e sigurisë dhe sigurinë në komunitet. Të dhënat e Barotmerit tregojnë që në përgjithësi gratë kanë perceptime pozitive për institucionet e sigurisë, duke i parë ato edhe si shtyllë mbështetëse, prandaj duhet të ceket që opinioni për këo institucione është ndërtuar si “mendim i dëshiruar” e jo në realitet. Është shumë e rëndësishme të përmendet se kontakti i grave më institucionet është minimal, shumë i ulët në krahasim me burrat. Kjo reflekton një supremaci të meshkujve në relacion me institucionet, si pasojë gratë përceptimet i bazojnë në media ose ndikimit nga familjarët e jo nga eksperienca e tyre personale.