4/07/2016
Donika Emini, hulumtuese në QKSS ka marrur pjesë në Forumin e Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor, ngjarje e cila u zhvillua në Paris. Forumi është koordinuar nga Alternativa Europiane, Fondacioni ERSTE, Fondi Evropian për Ballkan, Fondacioni Friedrich Ebert, Qytetarët për Evropën dhe Fondacioni Charles Leopold Mayer.
Forumi i Shoqërisë Civile në Paris ka për qëllim të kontribuojë në rritjen e rolit të shoqërisë civile, vizibilitetit dhe ndikimit të shoqërisë civile në të ashtuquajturin "Proces të Berlinit" dhe në aspekte më të gjera të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Forumi i Shoqërisë Civile ka bashkuar aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Bashkimi Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor për të formuluar rekomandimet për të ardhmen e projektit evropian, dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Aktivitetet përgjatë dy ditëve ishin të strukturuara rreth seminareve, dialogut me parlamentarët evropian, aktivitete kulturore dhe një samit publik për qytetarët mbi solidaritetin evropian.
Ky forum është organizuar me rastin e samitit të tretë ndërqeveritar të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së. Ky event ka përcjellë Forumin e Shoqërisë Civile të mbajtur në Vjenë, në gusht 2015 dhe në Novi Sad dhe Beograd në maj 2016, ku katër fusha kryesore të politikave janë identifikuar si prioritete për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Migrimi, ndryshimet klimatike, bashkëpunimi i të rinjëve dhe mosmarrëveshjet bilaterale kanë qenë pjesë e Programit të Forumit të Parisit dhe tema që do të diskutohen edhe nga udhëheqësit politikë.