14/07/2016
Hulumtuesja e QKSS, Donika Emini ka marrë pjesë në një vizitë studimore të organizuar në kuadër të Forumit Antikorrupsion për Ballkanin Perëndimor, organizuar nga Akademia Evropiane për Diplomaci. Vizita studimore u zhvillua në Varshavë, Poloni. Gjatë dy ditëve në Varshavë, pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë institucionet e suksesshme që kanë kontribuar në luftën kundër korrupsionit. Pjesëmarrësit e përfshirë në menaxhimin e organeve antikorrupsion kanë vizituar institucionet më të suksesshme Polake në luftën kundër korrupsionit, sidomos në periudhën e pas tranzicionit. Vizita u plotësua me debate me ekspertë nga të gjitha vendet e Vishegradit.
Forumi Antikorrupsion për Ballkanin Perëndimor si projekt fokusohet në ndarjen e përvojave të vendeve të Vishegradit "në luftën kundër korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mali të zi dhe Serbi). Objektivat e programit përfshijnë identifikimin e boshllëqeve në luftimin e korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, duke ndarë përvojat e vendeve të Vishegradit, dhe pajisjen e pjesëmarrësve të zgjedhur me shkathtësi dhe njohuri të nevojshme për përmirësimin e masave antikorrupsion në vendet e tyre.
Takimi i rradhës në kuadër të këtij projekti do të mbahet në Prishtinë, Kosovë. Ky takim do të jetë i hapur për publikun dhe do të ketë për qëllim të mbledhë ekspertë nga institucione të ndryshme dhe shoqëri civile nga e gjithë rajoni.
Programi është organizuar me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit.