Forumi i Gruas për Siguri me gratë nga Komuna e Mitrovicës

25/03/2021

Forumi i Gruas për Siguri me gratë nga Komuna e Mitrovicës

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka filluar organizimin e raundit të dytë të takimeve në kuadër të platformës Forumi i Gruas për Siguri në Kosovë, aktivitet ky që është duke u implementuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i Qëndrueshmërisë: Komunitetet kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”, përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.

Duke qenë se gratë shpesh anashkalohen, mungojnë, ose nuk përfshihen në diskutimet rreth çështjeve të sigurisë, shqetësimet dhe pikëpamjet e tyre nuk mirren parasysh gjatë politik-bërjes. Kjo ndikon qe politikat e sigurisë shpesh të mos jenë efikase pasiqë nevojat e komunitetit nuk adresohen në tërësi.

Forumi i Gruas për Siguri është platformë që iu mundëson vajzave dhe grave të Kosovës nga prapavija të ndryshme që të vet-artikulojnë shqetësimet e tyre në aspektin e sigurisë, si dhe të diskutojnë hapur rreth mënyrave se si këto shqetësime duhet të adresohen. Takimi i parë i këtij Forumi per këtë vit u mbajtë dje me gra dhe vajza pjesëmarrëse nga Mitrovica, me ç’rast u diskutua rreth sfidave të sigurisë me të cilat vajzat dhe gratë në Mitrovicë janë duke u përballur, si dhe nevojën për angazhim më të lartë të institucioneve lokale dhe qendrore për adresimin e këtyre sfidave.