25/07/2025
Më 25 korrik 2025, në ambientet e ITP Park në Prizren, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) organizoi një fokus grup në kuadër të projektit ndërkombëtar OppAttune – Kundërshtimi i Ekstremizmit Politik përmes Dialogut të Harmonizuar, i financuar nga programi Horizon Europe.
Ky aktivitet kishte për qëllim mbledhjen e mendimeve, përvojave dhe perceptimeve të qytetarëve për ekstremizmin politik në Kosovë – me theks të veçantë në sfidat që lidhen me diskursin publik, manipulimin politik, gjuhën e urrejtjes dhe mundësitë për dialog demokratik.
👥 Në këtë fokus grup morën pjesë 12 individë me profile të ndryshme – aktivistë të shoqërisë civile, qytetarë të angazhuar dhe përfaqësues lokalë – të cilët ndanë në mënyrë të hapur qëndrimet dhe reflektimet e tyre.
📌 Disa nga temat e diskutuara përfshinë:
Diskutimi theksoi se ndarja sociale, mungesa e edukimit qytetar dhe mungesa e vlerave kolektive janë disa nga faktorët që po ushqejnë rritjen e polarizimit politik. U theksua gjithashtu nevoja për moderim profesional në debatet publike dhe për ndërtimin e një kulture politike të bazuar në respekt, etikë dhe dëgjim aktiv.
QKSS falënderon të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të sinqertë dhe reflektimet e vlefshme. Të dhënat e mbledhura nga ky aktivitet do të përdoren për analiza të mëtejme dhe për hartimin e rekomandimeve konkrete që do t’i kontribuojnë ndërtimit të një hapësire më demokratike dhe gjithëpërfshirëse për qytetarët në Kosovë.
OppAttune është një projekt i financuar nga Horizon-Europe që përfshin 17 partnerë në të gjithë Evropën dhe më gjerë, i cili synon të zhvillojë një Model inovativ të Akordimit i cili do të gjurmojë, harmonizojë dhe kufizojë përhapjen e narrativave ekstreme politike. Bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian me Marrëveshjen e Grantit Nr. 101095170.