29/07/2025
Prishtinë, 24 korrik 2025 – Ekipi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) u takua me z. Naim Qelaj, Avokatin e Popullit të Republikës së Kosovës, për të diskutuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dhe promovimin e dialogut ndëretnik në Kosovë.
Takimi u përqendrua në projektin e vazhdueshëm të QKSS-së "Rritja e Transparencës dhe Llogaridhënies Qeveritare në Dialogun Ndëretnik", i mbështetur nga Fondi Kombëtar për Demokraci (NED). Ekipi i QKSS-së e informoi z. Qelaj mbi aktivitetet e projektit dhe ndau gjetjet nga procesi i zbatimit të deritanishëm.
Projekti synon të nxisë komunikimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë midis komuniteteve të ndryshme të Kosovës, me një fokus të veçantë në dialogun ndëretnik. Deri më tani, janë mbajtur një seri aktivitetesh, duke përfshirë tryeza diskutimi me komunitetet në gjashtë komuna, publikimi i infografikave dhe studimeve analitike.
QKSS shprehu shqetësim për mungesën e angazhimit dhe dialogut kuptimplotë midis komuniteteve në Kosovë, duke njohur gjithashtu rolin e rëndësishëm që Institucioni i Avokatit të Popullit ka luajtur në promovimin e dialogut ndëretnik. Klima aktuale e polarizuar politike në Kosovë, ndër tjerash, mund të ketë efekt të dëmshëm edhe në bashkëpunimin dhe komunikimin ndëretnik. Prandaj, projekte si ky që QKSS po zbaton me mbështetjen e NED janë thelbësore për të ruajtur dialogun e hapur dhe të vazhdueshëm dhe për të parandaluar ndikimin e polarizimit politik në marrëdhëniet ndëretnike në nivel komuniteti.
QKSS përgëzoi z. Qelaj për rolin e tij proaktiv në ngritjen e shqetësimeve të komuniteteve joshumicë, duke përfshirë edhe vizitat e tij në veri të Kosovës. Organizata theksoi rëndësinë e këtyre përpjekjeve dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur punën e Institucionit të Avokatit të Popullit dhe për të kontribuar në vlerën e shtuar të dialogut midis komuniteteve dhe vendimmarrësve.
Ekipi i QKSS poashtu ndau gjetjet e projektit me Institucionin e Avokatit të Popullit, duke theksuar çështjet e vazhdueshme si diskriminimi brenda dhe midis komuniteteve, sfidat që lidhen me jetën e përditshme dhe mirëqenien sociale, dhe situata vazhdimisht e vështirë në veri të Kosovës, e cila është komplikuar më tej nga bojkoti institucional i vitit 2022. Shqetësime të tjera kritike të ngritura përfshijnë të drejtat gjuhësore, të drejtat e pronës, qasjen në regjistrimin civil dhe dokumentacione, si dhe etnizimin e problemeve sociale. Përveç kësaj, QKSS identifikoi çështjet lokale si p.sh. menaxhimi mjedisor, strehimi kolektiv dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor.
Një sfidë e rëndësishme e identifikuar gjatë diskutimit ishte mungesa e kapaciteteve në nivel lokal për t'u angazhuar në mënyrë efektive në proceset institucionale dhe për të siguruar përfaqësim adekuat të të drejtave dhe shqetësimeve të gjitha komuniteteve në vendimmarrje.
Të dyja palët ranë dakord të eksplorojnë rrugë konkrete për bashkëpunim, veçanërisht përmes promovimit të dialogut të brendshëm, konsultimeve institucionale me komunitetet dhe komunikimit të përbashkët të shqetësimeve të komuniteteve tek vendimmarrësit.
QKSS shprehu mirënjohjen e saj ndaj Institucionit të Avokatit të Popullit për mbështetjen dhe gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar.