7/04/2026
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) organizoi një fokus grup me përfaqësues të Policisë së Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të projektit që synojnë të adresojnë fenomenet e ekstremizmit të dhunshëm, gjuhës së urrejtjes dhe sfidave të sigurisë në hapësirat digjitale dhe fizike.
Diskutimi evidentoi se në Kosovë nuk identifikohen grupe të strukturuara të ekstremizmit të djathtë, megjithatë vërehet një rritje e formave të ndryshme të gjuhës së urrejtjes dhe shprehjeve ideologjike që mund të kontribuojnë në radikalizim. Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës theksuan se trajtimi i këtyre rasteve realizohet përmes procedurave standarde për hetimin e krimeve të urrejtjes, si dhe përmes bashkëpunimit ndërinstitucional.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua rolit të rrjeteve sociale në përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve, si dhe sfidave që lidhen me krimet kibernetike dhe përdorimin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale. Po ashtu, u theksua rëndësia e aktiviteteve parandaluese, përfshirë ligjëratat në shkolla dhe ndërgjegjësimin e komunitetit.
Ky fokus grup kontribuon në forcimin e analizës dhe zhvillimin e rekomandimeve të bazuara në evidencë për përmirësimin e politikave dhe praktikave institucionale në Kosovë.
Ky aktivitet është financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e QKSS dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian apo BIRN-it.