25/11/2014
Drejtori ekzekutiv i QKSS, Florian Qehaja mori pjesë në punëtorinë tre ditore të organizuar nga Qendra për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura(DCAF) me temën: ”Ndarja e përvojave me organizatat jo-qeveritare nga Palestina dhe Ballkani Perëndimor që punojnë në sferën e sektorit të sigurisë”. Në këtë punëtori morri pjesë edhe drejtuesja e Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë(BCSP)- Sonja Stojanovic-Gajic dhe zyrtar të DCAF nga Gjeneva dhe Ramallah.
Qëllimi i përgjithshëm i kësaj punëtorie ishte ndarja e përvojave të Ballkanit me Palestinën në qeverisjen dhe mbikqryjen e sektorit të sigurisë. Ballkani ka kaluar nëpër një tranzicion të vështirë të pas-konfliktit gjë që përvojat e transmetuara për aktivistët dhe hulumtuesit palestinezë pritet të shërbejnë në drejtim të demokratizimit dhe lirisë së asocimit.
Drejtori i QKSS, Florian Qehaja ka kontribuar në cilësinë e ekspertit për të diskutuar gjendjen aktuale në qeverisjen e sektorit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, roli i shoqërisë civile në përmirësimin e qeverisjes demorkatike të sektorit të sigurise si dhe sfidat me të cilat përballen organizatat e shoqërise civile. Qehaja ndau përvojat e organizimit të hulumtimit përfshirë dhe analizimin në kontekstet e shteteve komplekse, përfshirë edhe gjatë periudhave të konfliktit. Poashtu, Qehaja ndau përvojat në rolin e organizatave hulumtuese gjatë mungesës së institucioneve. Si dhe përvojat e tij se si mund metodat e ndryshme të avokimit të mbajnë qeverinë përgjegjëse, mënyrën se si të komunikohet në ambiente të vështira konfliktesh dhe si arrin ai që mesazhi të dëgjohet në publikun e duhur.
Për më shumë, punëtoria u bazua në punë grupore në të cilën pjesëmarrësit patën rastin të diskutojnë dhe eksplorojnë mundësitë e hulumtimeve. Gjatë kësaj punëtorie tre ditore, u diskutua në punë grupore rreth avokimit dhe llogaridhënies në një kontekst të ndërlikuar.
Agjenda përbëhej nga disa sesione të cilat kryesisht ishin të udhëhequra apo prezentoheshin nga dy ekspertë të Ballkanit:
-Sesioni i parë: Sfidat për qeverisjen demokratike të sektorit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe territorin Palestinez
-Sesioni i dytë: Pozicionimi i organizatave të shoqërisë civile në kontekst tranzicional- shembull nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP) dhe Hulumtimet në kontekst të shtet-ndërtimit- shembull nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë(QKSS)
-Sesioni i tretë: Si munden organizatat e shoqërisë civile të ndikojnë në reformat dhe qeverisjen e sektorit të sigurisë?
-Sesioni i katërt: Roli i hulumtimeve në mbajtjen e qeverisë përgjegjëse
-Sesioni i pestë: Si të përmirësohet zhvillimi I organizativ I shoqërisë civile?
-Sesioni i gjashtë: Avokimi dhe llogaridhënia në një kontekst të ndërlikuar