10/09/2014
Sot, me 10 Shtator, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS) publikoi analizën e titulluar “Anëtarësimi dhe Prezentimi i Kosovës në Iniciativat Rajonale të Sigurisë”.
Qëllimi kryesor i kësaj analize është që të vihet në pah progresi i bërë në këtë drejtim, si dhe të analizohet konteksti politik i nismave rajonale, duke u fokusuar në sfidat që i kanë institucionet e Kosovës për t’u bërë anëtare e plotë e nismave rajonale të sigurisë.
Në këtë konferencë ishin të pranishëm si panelistë, Ministri në detyrë i Ministrisë së Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, Damijan Sedar, Këshilltar i Lartë Politik i Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Efrem Radev, Këshilltar i lartë për politikat e sigurisë në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal. Z. Rexhepi apeloi që Bashkimi Europian të jetë me proaktiv në zbatimin e Marrëveshjes së Fusnotës të arritur në mes të Kosovës dhe Sërbisë, duke potencuar faktin se BE është palë garantuese e implementimit të kësaj marrëveshje. Kurse, Z. Sedar, theksoi se procesi i integrimit në nisma rajonale është proces gjithëpërfshirës duke konkluduar se pa përfshirjen e plotë të Kosovës si anëtare aktive në të gjitha nismat rajonale nuk mund të flitet për bashkëpunim efektiv në Ballkanin Perëndimor. Në anën tjetër, Z. Radev, theksoi se anëtarësimi në nisma rajonale të sigurisë është e kushtëzuar nga dy aspekte: Teknik dhe Politik. Ai më tej theksoi se një nga aspektet më teknike të bashkëpunimit rajonal është pjesëmarrja e gjitha shteteve të rajonit në këto mekanizma. Përveç panelistëve edhe autorja e publikimit prezantoi të dhënat preliminare të kësaj analize.
Rekomandimet
Qeveria e Kosovës – nënshkrimi i ‘marrëveshjes për fusnotën’ duhet të pasohet me një platformë më të mirëfilltë për zbatimin e saj. Qeveria duhet të jetë më konsistente dhe më e unifikuar me qëllim që të sigurojë pjesëmarrje më të mirë në nismat rajonale të sigurisë.
Krahas strategjive, nevojitet edhe një bashkëpunim dhe bashkërendim më i mirë mes MPJsë, FSK-së dhe PK-së për ta përmirësuar pozitën e Kosovës në nivel rajonal. Institucionet relevante duhet ta trajtojnë çështjen e Kosovës në kuadër të një apo më shumë kornizave rajonale, pra aty ku e shohin që është me interes të përfshihet Kosova. Pjesëmarrja në nismat rajonale nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mënyrë për ta forcuar shtetësinë dhe institucionet e saj.
Bashkimi Evropian – duhet të kërkojë mundësi të përfshirjes së Kosovës në nismat relevante,duke eksploruar opsione të reja mes statuseve të ndryshme me qëllim që të sigurohet që Kosova të merr pjesë në nismat rajonale të sigurisë. Po ashtu, BE-ja duhet t’i bëjë presion qeverisë së Serbisë që ta respektojë dhe ta zbatojë ‘marrëveshjen për fusnotën’,sipas së cilës Kosova nuk duhet të kufizohet që të merr pjesë në organet dhe nismat rajonale.
UNMIK-u dhe EULEX-i – duhet të bëjnë më shumë për kalimin e përgjegjësive tek institucionete Kosovës, në veçanti në lidhje me komunikimin me Interpol-in dhe Europol-in.
Nismat rajonale të sigurisë – pritet që t’i shtojnë përpjekjet në mënyrë që qëllimi kryesor i bashkëpunimit rajonal të jetë mbi qëndrimet e shteteve anëtare. Nismat rajonale për siguri inkurajohen që ta arsyetojnë në mënyrë proaktive nevojën e anëtarësimit të Kosovë snë to me qëllim që të deklarohet, së paku formalisht, bashkëpunimi i plotë dhe holistik në Evropën Juglindore.