ANALIZË KRITIKE E DISKURSIT: (DE)KONSTRUKTIMI I DISKURSIT TË EULEX-IT

7/09/2012

ANALIZË KRITIKE E DISKURSIT: (DE)KONSTRUKTIMI I DISKURSIT TË EULEX-IT

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS),ka organizuar tryezën e rrumbullakët me rastin e publikimit të hulumtimit “Analizë Kritike e Diskursit: (De)Konstruktimi i Diskursit të EULEX-it”.

QKSS ka prezantuar një aneks statistikor i cili reflekton frekuencat (shpeshtësinë) e terminologjisë të përdorur nga EULEX në periudhën 2009-2012. Ky hulumtim ka zbuluar se sa herë është përdorur termi: multi-etnicitet, komunitete jo-shumicë, llogaridhënia, transparenca, pajtimi, autoritete vendore, interferim politik etj.,përgjatë periudhës së lartpërmendur.

Raporti është përqendruar në analizën e diskursit kritik për të evidentuar tendencat e gjuhës së përdorur nga EULEX-i bazuar në deklaratat zyrtare dhe raportet e tyre. Prandaj qëllimi i këtij hulumtimi përbën zbulimin e marrëdhënies së padukshme në mes të EULEX-it dhe institucioneve kosovare, gjë që nuk ka ndodhur në hulumtimet e deri tashme për praninë ndërkombëtare civile dhe ushtarake.

Tryeza e rrumbullakët ka mbledhur përfaqësues të shoqërisë civile, partive politike, përfaqësuesve nga EULEX-i dhe pranisë së BE-së, lidhur me Misionin e EULEX-it si dhe rëndësinë e ndryshimit të retorikës dhe mesazheve në opinionin publik.

Emërues i përbashkët i diskutimeve të kësaj tryeze ka qenë thirrja për të evituar qasjen ambiguiste të EULEX-it varësisht nga rrethanat politike, përkundër natyrës teknike të mandatit të tij. EULEX dërgon mesazhe të ndryshme te komunitetet në Kosovë dhe më gjerë. Kjo qasje ka dëmtuar vet legjitimitetin dhe ka zbehur pranueshmërinë nga popullata lokale, si dhe ka vështirësuar përmbushjen e premtimeve të EULEX-it në fushën e sundimit të ligjit. Po ashtu, është diskutuar për burimet ligjore të ndryshme të mandatit të këtij Misioni, mungesën e qasjes në Veri të Kosovës, mungesën e unitetit të brendshëm brenda shteteve anëtare të BE-së si dhe nevojën për të sqaruar më shumë punën e këtij misioni në komunikim të drejtpërdrejtë me opinionin publik.